Fjalë Kyçe

“Kam lënë 150 dele”, i moshuari me lot në sy: Po s’pata bagëtinë me ça do ushqehem

“Kam lënë 150 dele”, i moshuari me lot në sy: Po s’pata bagëtinë me ça do ushqehem

Situatë e vështirë në disa fshatra të Fierit pas daljes së Vjosës.

Disa banorë janë evakuuar pasi iu rrezikohej jeta, ndërkohë që të tjerë nuk pranojnë të ikin pasi kanë lënë pas bagëtinë dhe gjënë e gjallë dhe kanë frikë për shtëpitë.

Një i moshuar me lot në sy tregoi se ka lënë pas 150 dele dhe se nëse nuk ka bagëtitë nuk ka me çfarë të ushqehet.

“Vdes me dhëntë këtu jashtë. Mos të ngordhin bagëtitë. Kam lënë 150 dele në stan. Ka ardhur uji nga ora 3. Kishim nja 4 vjet që nuk kemi pasur probleme. Isha me gruan. Ku të vete unë? Po nuk pata bagëtinë, kot, me ça do ushqehem? Unë 70 mijë lekë pension marr”, tha i moshuari.

Një tjëtër banor tregoi se uji ka hyrë deri në 1 metër në banesë. “Ka ardhur një sasi e madhe uji, që ishte e paparashikuar. Në shtëpinë time ka vajtur gati 1 metër. Me ça t’i ruash e t’i ngresh një metër pajisjet? Nuk ka ardhur njeri për të na lajmëruar këtë radhë, se herët tjetër kanë ardhur natën nëpër fshat kanë thirrur. Vetë e kemi parë situatën, ik tek lumi, shko në shtëpi.
Qysh ta lë banesën vetëm, ka lloj-lloj gjërash. Gruan e çova tek një komshi që është në kat të dytë, vetë dola këtej. Tani do iki të ndërrohem tek çuni i xhaxhait se nuk kam nga futem në shtëpi”, tha banori.

Ndërkohë një tjetër deklaroi se çdo gjë do të përmbytet, pasi argjinaturat rrezikojnë të çahen. Ai tha se qeveria i ka gënjyer duke iu thënë se janë marrë të gjitha masat.
“Shumë ujë dhe rrezik se po vjen nga të tëra anët përmbytje. U gënjyem nga qeveria se na thanë janë marrë të tëra masat, është blinduar Vjosa dhe janë bërë argjinaturat, kjo është një mashtrim i madh. Nuk na lajmëroi njeri të merrnim masa, herë të tjera jemi lajmëruar. Do mbytemi përfundimisht se ne kemi përvojë në mbytje. Ne që jemi përmbytur tamam akoma s’kemi marrë dëmshpërblimet e para. Unë kam derra, bletë dhe akoma s’kemi marrë. Çdo gjë është e mbytur. Argjinaturat sa të plasin do dalë një ujë shumë i madh në fushë dhe nuk ka asnjë perspektivë”, u shpreh banori.