Banorët e komunës së Kamenicës po përballen me një problem të madh.
Halli i tyre është mungesa e pediatërve dhe gjinekologëve në qendrën e mjekësisë familjare të kësaj komune. Shërbimi i maternitetit gjegjësisht salla ku kryhen lindjet tash e katër vjet nuk është funksionale për arsye se ka mungesë të gjinekologëve.
Ylber Thaçi, drejtor i drejtorisë së shëndetit dhe mirëqenies sociale në komunën e Kamenicës i ka thënë Insajderit se problem është një udhëzim administrativ i cili akoma nuk ka hyrë në fuqi për gjetjen e pediatërve dhe gjinekologëve.
“Jemi duke parë të bëjmë një marrëveshje brenda javës me QKUK-në që t’na sjellin disa gjinekologë, të shohim a do ta arrijmë”, ka thënë përmes telefonit Thaçi.
Ai ka shtuar se konkursi është hapur dy herë mirëpo nuk ka aplikuar asnjë kandidat për pozitën e gjinekologut ndërsa për pediatër nuk kanë hapur konkurs sepse deri më sot ka qenë një.
Pediatri i vetëm që ka shërbyer deri më tash në Qendrën e Mjekësisë është Ismet Morina mirëpo i njëjti, sot e ka përfunduar shërbimin e tij dhe ka dalur në pension.