Fjalë Kyçe

Kamerat kurth kapin rrëqebullin ballkanik në Malet e Sharrit

Kamerat kurth kapin rrëqebullin ballkanik në Malet e Sharrit

Një rrëqebull ballkanik është fotografuar në malet e Greikocit të Suharekës, nga kamerat të vendosura në kurth, shkruan Gazeta Metro.

Bledar Beqiraj nga ky fshat së bashku me vëllaun e tij Bestarin, kanë vendosur kurthe të kamerave në bjeshkët e Greikocit, të cilat shkrepin imazhe të kafshëve dhe shtazëve të rralla që gjenden në Kosovë. Këto kamera janë donacion nga bashkëfshatari i tyre Nezir Selimaj.

Së fundi nga këto kamera është fotografuar rrëqebulli ballkanik i cili është specie e rrallë dhe në zhdukje.

Rrëqebulli ballkanik është një nënlloj i llojit të rrëqebullit evroaziatik në gjininë e rrëqebullit. Haset më së shpeshti në lindje dhe në veri të Shqipërisë dhe në perëndim të Maqedonisë, dhe ka një pakicë shumë të vogël edhe në Kosovë, konkretisht në Malet e Sharrit në pjesën e Greikocit.

Rrëqebulli është një mace me këmbë të gjata dhe robuste. Gëzofi është i verdhërremë-murrmë në verë, më i zbehtë në dimër, shumë laraman në këmbë, por me më pak lara mbi shpinë. Kafshët kanë një kokë relativisht të vogël, këmbë të gjata, dhe një bisht shumë të shkurtër me majë të zezë.

Fytyra e tyre është e shkurtër dhe e rrumbullakët, me një ‘mjekër’ karakteristike në të dyja anët, që spikat veçanërisht te adultët, dhe veshët trekëndorë mbarojnë me një xhufkë të zezë.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Faunës së Egër plotësisht i mbrojtur dhe gjuetia e tij ndalohet rreptësisht. Rrëqebulli ka mbrojtje të plotë ligjore në vend që prej vitit 1969.

Mirëpo pas kamerave kurth të vendosura në këtë pjesë të cilat mirëmbahen nga këta dy persona, ka rënë edhe gjuetia ilegale, pasi që çdo gjë xhirohet nga to.