Një goditje nga kamioni ishte fatale për 60’vjeçarin Naser Dema nga Podujeva. I njëjti teksa po kalonte rrugën u godit, e nuk mundi t’u mbijetonte plagëve as pas qëndrimit dy javor në gjendje kome. Pak para se të njëjtit t’i jepnin lamtumirën e fundit, familja Dema nga Pollata e zgjati dorën e pajtimit për familjen Selmani. Tragjedi në familjen e të ndjerit kishte ndodhur edhe 15’vite më parë. Express sjell rrëfimin nga Podujeva.
Para se t’i jepnin lamtumirën e fundit, vëllait të tyre të ndjerë, familja Dema nga fshati Pollatë e Podujevës e fali gjakun e tij.
Dy javë më parë, tragjikisht, 60-vjeçari, Naser Dema u godit nga një kamion deri sa po kalonte rrugën, në fshatin Lluzhan të kësaj komune, e nga aty mori plagë të rënda.
Për dy javë qëndroi në gjendje kome në repartin e Intensives në QKUK, deri dje paradite kur mjekët lajmëruan familjarët për vdekjen e tij.
Të enjten, në fshatin ku Naseri jetonte së bashku me gruan e fëmijët, u mblodhën shumë njerëz që u drejtuan në shtëpinë e tij për krye shnosh.
Të prekur nga ajo që ndodhi, familjarin e tyre e kujtojnë me fjalët më të mira, ndërkaq, tregojnë edhe detaje se si kishte ndodhur ngjarja.
E pamja
Vëllai i të ndjerit, Nalbert Dema, që po priste njerëzit që shkonin për të pame, tha se rasti i bën nesër dy javë që ka ndodhur, e atë ditë ishte mot me reshje.
“Nesër dy javë ka ndodh rasti ka qenë borë edhe shi moti i keq. Na kanë konfirmu diku rreth orës 09:00 në mbrëmje vëllai ka qenë duke shku te miqt e vet, ka zbrit prej autobusit edhe duke kalu rrugën e ka rrok kamioni”, thotë ai.
Për personin që po voziste mjetin që shkaktoi aksidentit, thotë se është nga Barileva dhe me të e familjen e tij kanë qenë në vazhdimësi në kontakt.
“Kemi kontaktu çdo ditë me ta, as ata raportin se kanë marrë, na si kemi vet hiq për shkak që hetuesi që e ka marrë lëndën ka thanë që duhet me prit me rëndësi është të shëndoshet pacienti, i aksidentumi, e më vonë marrim raportet”, shton, duke thënë se fatkeqësisht, edhe pas kujdesit që iu dha vëllai nuk mund të ju rezistonte më gjatë plagëve të marra.
Për vëllain flet fjalët më të mira, duke u deklaruar se ishte person i qetë e i dashur.
Fatkeqësia për familjen Dema kishte trokitur në vitin 2003, kur tash të ndjerit i ishte zhdukur djali 3’vjeçar që atëkohë dyshohej se kishte rënë në lum.
Familjarët thonë se ajo histori, kishte tronditur të afërmit dhe Naseri e kishte peng që atij nuk kishin mundur t’ia gjenin as trupin.
Atë vit kishte pasur reshje të mëdha që vërshonin rrafshinat ku janë shtëpitë e tyre, e edhe pas katër muaj kërkimesh, nuk patën rezultat.
60’vjeçari u përcoll sot për në banesën e fundit, në varrezat e fshatit Pollatë të Podujevës.
Naser Dema
Familjarët e tij zgjatën dorën e pajtimit për familjen Selmani pak para varrimit, duke thënë se asgjë nuk kishte ndodhur qëllimisht. Naser Dema ka lënë prapa katër fëmijë dhe gruan.
Lajmin për humbjen e tij e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe shefi i Intensives në QKUK, Shaqir Uka.
I njëjti ka konfirmuar se pacienti po qëndronte tash e dy javë në gjendje kome.
“Pacienti ka qenë në gjendje kome në Intensivë tash e dy javë. Ka vdekur herët në mëngjes dje. Kishte lëndime të kokës, gjoksit, gjakderdhje të trurit dhe thyerje të brinjëve”, deklaroi Uka.
Për humbjen e tij kanë raportuar edhe Policia e Kosovës.
“Një person ka ndërruar jetë në QKU pasi që i njëjti ishte lënduar në një aksident trafiku që kishte ndodhur më 22 shkurt në fshatin Lluzhan të Podujevës. Që nga dita e aksidentit tashmë i ndjeri ka qenë i shtrirë në repartin e kujdesit intensiv në QKUK”, kanë bërë të ditur nga policia.