Teksa qytetarëve të Kosovës pritet t’u lejohet tërheqja e 10 për qind të kursimeve të tyre në Trustin e Kosovës, një deputet i Kuvendit të Kosovës ka tërhequr rreth 30 mijë euro nga ky institucion vitin e kaluar.
Pak para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, Bekim Haxhiu i Partisë Demokratike të Kosovës ka tërhequr 27 mijë e 345 euro nga Trusti, ka bërë të ditur deputeti në deklarimin e pasurisë për vitin 2020.
Në formularin që Haxhiu ka dorëzuar pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion, nënvizohet se ai ka tërhequr këto mjete financiare më 30 gusht të 2019-s, raporton Gazeta Insajderi.
Ato, ka deklaruar deputeti, i ka përdorur për fushatë zgjedhore, “çështje humanitare e nevoja familjare”.
“Këto mjete financiare i kam shfrytëzuar për pagesen/ shlyerjen e borgjit prej 10.000 euro si dhe një pjesë të shumës e kam përdorur për fushatë zgjedhore, pastaj për qështje humanitare dhe nevoja familjare”, ka deklaruar Haxhiu.
Haxhiu, po ashtu ka deklaruar se vozitë një veturë gjermane Mercedes, të tipit E Class 22o, me vlerë 33 mijë euro.