Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka premtuar ulje të shpejtë të çmimeve të energjisë elektrike, shkroi të martën e përditshmja gjermane “Franffurter Allgemeine”.
Scholz ka thënë se nuk pret që të ketë kryengritje popullore në vjeshtë dhe dimër për shkak të mungesës së energjisë, duke hedhur poshtë pretendimet se ato do të ndodhin.
“Unë nuk besoj në thirrje të tilla. Nëse qëndrojmë së bashku si vend, si komb, do ta kalojmë këtë kohë”, ka thënë Scholz.
Ai shtoi se ka indikacione që shumë shpejt do të mund të merren vendime edhe në nivel evropian.
Derisa foli për paketën e tretë të ndihmës së paraqitur së fundmi për të ulur çmimet e energjisë elektrike, njoftoi për rregulloren që përcakton çmimin tavan për konsumin bazë të energjisë.
Ndërsa për çmimin e gazit, Scholz nuk u shpreh optimist se do të ketë ulje.
“Është më e vështirë kur blihen burime fosile si gazi natyror, të cilat përcaktohen fuqishëm nga zhvillimi i çmimit të tregut botëror”, u shpreh ai.