Fjalë Kyçe

Kancelari Kurz: Serbia s’mund të hyjë në BE pa normalizimin e raporteve me Kosovën

Kancelari Kurz: Serbia s’mund të hyjë në BE pa normalizimin e raporteve me Kosovën

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka deklaruar se Serbia duhet të jetë e vetëdijshme se nuk do pranohet në Bashkimin Evropian, pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën.

Një qëndrim i tillë, i njëjtë me të para dy vjetëve të dhënë siç thotë ai gjatë një vizite në Beograd, erdhi edhe këtë herë ndërsa u pyet nga mediumi serb Kurir, nëse njohja e Kosovës, mund të vendosej kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, njofton Klan Kosova.

”Gjatë vizitës time të fundit në Beograd, dy vjet më parë, unë thashë që Serbia duhet të jetë e vetëdijshme se nuk do të ketë pranim në BE pa normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit me Prishtinën”.

Kurz vuri në pah rëndësinë se të dy palët duhet të bien dakord mbi një normalizim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe se marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit do të kontribuonte në stabilitetin në rajon.

”Kryesisht është nga të dy palët të bien dakord për një normalizim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Kjo duhet të kontribuojë në stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”.

Sipas tij, Bashkimi Evropian ka pasur rezultate të mira kur bëhet fjalë për ndërmjetësimin në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

”Pa ndërmjetësimin e BE-së, marrëveshjet e Brukselit ndoshta nuk do të ishin arritur. Pra, ne kemi rezultate të mira këtu. BE-ja ka ende një rol të rëndësishëm negociues në dialog. BE-ja ia ka besuar këtë detyrë Miroslav Lajçakut, një diplomat me përvojë i cili gëzon mbështetjen e plotë të BE-së dhe Austrisë. Megjithatë, ka nevojë për vullnet politik dhe guximin e Beogradit dhe Prishtinës, pa të cilat nuk do të ketë sukses. Ai gjithashtu ka nevojë për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara”, tha Kurz.

Ai tutje ka shtuar se të dy palët duhet t’i zbatojnë detyrimet e tyre nga marrëveshja e Brukselit “në një mënyrë të përshtatshme”.

”Atje ku ka pika të hapura, ne kërkojmë zbatimin e tyre në një mënyrë të përshtatshme. Kryesorja është të vazhdojmë seriozisht dialogun, të ndërtojmë besim të ndërsjellë, të përqendrohemi në një të ardhme të përbashkët evropiane. Të gjitha palët do të përfitojnë nga kjo”.

Ndërsa lidhur me atë se si i duket Kosova sot, 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kurz tha se sikur vendet tjera, po përballet me sfida në lidhje me pandeminë dhe pasojat ekonomike.

Si ju duket Kosova sot, trembëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë?

”Austria ka marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale me Kosovën. Me kontingjentin tonë të trupave për KFOR, numerikisht vendosjen më të madhe të forcave të armatosura austriake jashtë vendit, ne po japim një kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit”.

”Ekonomia austriake është një nga investitorët më të mëdhenj. Si të gjithë ne, Kosova përballet me sfida veçanërisht të mëdha duke pasur parasysh pandeminë globale dhe pasojat ekonomike. Prandaj është e rëndësishme që stabiliteti politik të vendoset shpejt pas zgjedhjeve të ardhshme. Kjo do të jetë gjithashtu e rëndësishme për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”.