Fjalë Kyçe

Karrigia hap sherr në Qeverinë Hoti, për pak të anulohet mbledhja e parë

Karrigia hap sherr në Qeverinë Hoti, për pak të anulohet mbledhja e parë

Kosova është bërë me Qeveri të re të mërkurën, kurse sot në mëngjes kryeministri Avdullah Hoti e mori edhe zyrtarisht detyrën e shefit të ekzekutivit.

Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mori dje besimin e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në fakt, kabineti qeveritar mori votat e vetëm 59 deputetëve të subjekteve në koalicionin e ri qeverisës të drejtuar nga LDK-ja, ndërsa arriti në numrin 61 falë votave të dy deputetëve të Aleancës Kosova e Re (AKR), parti kjo që do të jetë në opozitë.

E sot me një kalim para Gardës Ceremoniale, Hoti që dje u votua si pasardhës i Albin Kurtit, ka nisur ditën e parë të punës si i pari i ekzekutivit.

Pak minuta pas marrjes së detyrës, Hoti e ka mbledhur edhe kabinetin e ri qeveritar për të mbajtur mbledhjen e parë si kreu i ekzekutivit.

Në mbledhjen e hapur edhe për media, Hoti edhe një herë paraqiti prioritetet e Qeverisë, ndërsa e theksoi fuqizimin e miqësisë me partnerët ndërkombëtarë.

“Do të ndërtojmë kohezionin shoqëror që i ka munguar Kosovës tash e një kohë. Forcimi i shtetit ligjor, fuqizimi i miqësisë me partnerët ndërkombëtarë, marrja e përgjegjësive kushtetuese për procesin e dialogut, janë prioritetet tona” tha Hoti, transmeton FaktePlus.

Në këtë rast, Hoti tha se Qeveria ka detyrë që t’i jep frymë demokracisë së brendshme dhe ta respektojë Kushtetutën.

Mirëpo, Agjencia e Lajmeve FaktePlus mëson se qysh në mbledhjen e parë të Qeverisë nuk ka pasur frymë respektuese ndaj njëri-tjetrit mes anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Në fakt, pak para se të niste mbledhja e Qeverisë ka pasur një problem, i cili për pak sa nuk ka eskaluar dhe të ndikojë që mos të mbahet fare mbledhja.

Sherri ka plasur mes vartësve të kryeministrit Avdullah Hoti, respektivisht mes zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj dhe zëvendëskryeministres Albulena Balaj-Halimaj.

Selmanaj dhe Balaj-Halimaj për disa minuta kanë zhvilluar një “luftë” për karrige. Ata janë shtyrë se kush e ku do të ulet, duke insistuar secili të ulet në ballë të tavolinës, afër Avdullah Hotit.

Ndërkaq, sipas protokollit ishte paraparë që në ballë të tavolinës të ulej kryeministri Avdullah Hoti së bashku me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Tahiri dhe zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj.

Mirëpo, më këtë renditje nuk është pajtuar Albulena Balaj-Halimaj, e cila ka zënë vend kundër rregullores në ballë të tavolinës dhe afër kryeministrit.

Zyrtarë brenda kabinetit qeveritar në kushte anonimiteti kanë treguar për FaktePlus se kjo zënkë e shtyrje mes Selmanajt dhe Balaj-Halimajt për pak sa nuk ka eskaluar dhe të ndikojë në shtyrjen e mbledhjes së parë të Qeverisë Hoti.

FaktePlus për këtë çështje ka tentuar të kontaktojnë me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj dhe zëvendëskryeministren Albulena Balaj-Halimaj, por që të dy nuk janë përgjigjur.

Qeveria e re e Kosovës nën drejtimin e Avdullah Hotit është votuar dje në Kuvend pasi paraprakisht mori vendim Gjykata Kushtetuese, përmes së cilit, i ka dhënë të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në mandatimin e Hotit për formim të qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.

Si do qoftë, Qeveria Hoti mori dje besimin e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe tani ka nisur drejtimin e vendit.

Qeveria Hoti erdhi si rezultat i koalicionit të LDK-së me AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe.

Kjo qeveri do të ketë 16 ministri, 4 zëvendëskryeministra, kurse në përbërjen e saj nuk është treguar se sa zëvendësministra do të jenë.

Kryeministër i Kosovës – Avdullah Hoti (LDK)

Zëvendëskryeministrat:

Besnik Tahiri – AAK

Driton Selmanaj – LDK

Albulena Balaj-Halimaj – NISMA

Goran Rakiq – Lista Serbe

Ministrat:

Hykmete Bajrami – Ministre e Financave (LDK)

Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë (LDK)

Vlora Dumoshi – Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport (LDK)

Arban Abrashi – Ministër i Infrastrukturës (LDK)

Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme (LDK)

Selim Selimi – Ministër i Drejtësisë (LDK)

Armend Zemaj – Ministër i Shëndetësisë (LDK)

Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes (LDK)

Blerim Kuqi – Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit (AAK)

Meliza Haradinaj – Ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë (AAK)

Ramë Likaj – Ministër i Arsimit (AAK)

Skender Reçica – Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale (Nisma)

Vesel Krasniqi – Ministër i Tregtisë dhe Industrisë (Nisma)

Dalibor Jevtiq – Ministër për Kthim dhe Komunitete (Lista Serbe)

Goran Rakiq – Ministër i Pushtetit Lokal (Lista Serbe)

Enis Kercan  – Ministër i Zhvillimit Rural (Partie Turke)