Fjalë Kyçe

Kasami mund të jetë “përfitues” i situatës kaotike te Baseli

Kasami mund të jetë “përfitues” i situatës kaotike te Baseli

Mesfushori shqiptar Pajtim Kasami do të jetë kapiten i skuadrës së Baselit për pjesën e mbetur të këtij edicioni, kanë njoftuar të hënën mediumet zvicerane. Vendimi për emërimin e Kasamit kapiten të ekipit vjen pak kohë pasi klubi zviceran suspendoi kapitenin Valentin Stocker, të cilit pritet edhe t’i shkëputet kontrata.

Në fakt, suspendimi i Stockerit erdhi para ndeshjes kampionale kundër St.Gallenit, ku trajneri Ciriaco Sforza njoftoi pjesën tjetër të lojtarëve. Mungesa e Stockerit në këtë ndeshje bëri që shiriti i kapitenit ti besohet Kasamit. Ky i fundit ka besimin e trajnerit Sforza për ta mbajtur këtë përgjegjësi të paktën deri në fund të sezonit.

Vendimi për suspendimin e Stockerit ka ardhur për shkak të mospajtimeve të tij me trajnerin Sforza pas rezultateve të dobëta kohët e fundit. Mediumet zvicerane shkruajnë se Stocker, që është njëri prej lojtarëve më të adhuruar nga tifozët e klubit, është suspenduar për një kohë të pacaktuar.

“Kasami ka qenë kapiten kundër St. Gallenit dhe do të jetë kapiten edhe në ndeshjen tjetër për të vazhduar deri në fund të sezonit”, ka insistuar trajneri Sforza kur është pyetur se kush do të marrë përgjegjësinë e kapitenit pas suspendimit të Stockerit.

Sipas Sforzas, mesfushori Kasami është personi i duhur për ta bartur shiritin e kapitenit. Sipas tij, Kasami ka personalitetin e duhur për të qenë lider i ekipit në fushë.

“Kam vendosur për Kasamin, sepse ka personalitet dhe është një lojtar shumë i vlefshëm për ekipin tonë”, ka shtuar Stocker.

Kasami para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Baselit si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me skuadrën e Sionit në fund të sezonit të shkuar. Ai me fanellën e Baselit ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë dy asistime në 20 paraqitje në të gjitha garat, kurse ka kontratë deri në vitin e ardhshëm. Kasami edhe kur ishte pjesë e Sionit në disa raste ka bartur shiritin e kapitenit, kështu që përgjegjësia për të qenë lider i Baselit në fushë nuk është ndonjë risi për 28-vjeçarin.

Baseli e humbi edhe ndeshjen kundër St.Gallenit (3:1).

Ndërkohë vendimi i klubit për suspendimin e kapitenit Stocker nuk është pritur mirë nga tifozët e Baselit, të cilët kanë protestuar të hënën mbrëma para stadiumit “St. Jakob-Park”. Mbi një mijë tifozë kanë kërkuar kthimin e Stockerit, të cilin e vlerësojnë si legjendë të klubit.

31-vjeçari që luan si sulmues i krahut, është rikthyer te Baseli në vitin 2018 pas katër vjetësh te Hertha e Berlinit. Ai në Gjermani ishte transferuar pikërisht nga Baseli, ekip për të cilin kishte debutuar në vitin 2008 dhe kishte luajtur deri në vitin 2014. Stocker ka kontratë me Baselin deri në vitin 2023.

Aktualisht Baseli është në pozitën e dytë në tabelë me 32 pikë, derisa lider mbetet ekipi i Young Boysit me 51 pikë të grumbulluara.

Te Baseli luajnë shumë futbollistë shqiptarë, por së fundi nuk ka pasur qetësi në këtë klub.