Fjalë Kyçe

Kazinotë në Karaçevë konsiderohen ilegale, deputeti opozitar thotë se ato i kanë të “fortit” e Prishtinës

Kazinotë në Karaçevë konsiderohen ilegale, deputeti opozitar thotë se ato i kanë të “fortit” e Prishtinës

Krahas hyrjes së xhandarmerisë serbe në Karaçevë, deputetët në seancën e sotme plenare kanë ngritur shqetësimin për kazinotë e shumta në këtë fshat.

Kjo u konsiderua si ilegale edhe nga vet qeveria, derisa deputetët opozitar thonë se banorët atje iu kanë thënë se këto kazino i kanë “të fortit” e Prishtinës.

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci tha se ato kazino nuk kanë mundësi t’i hapin banorët në ato zona.

“Banorët e Karaçevës na kanë treguar se të fortit e Prishtinës i kanë hapur kazinotë atje. Nuk kanë mundësi me i hap karaçevasit aty, apo nga Kamenica”, tha ai.

Operimin e tyre e cilësoi si ilegal edhe vet zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri.

“Sa i përket kazinove tash ministrja më tha se ky është një operim ilegal që shteti e ka detyrë me i mbyllë”, tha ai.

Ndërkaq, kritika ndaj qeverisë për hyrjen e xhandarmerisë serbe në territorin e Kosovës paraqiti, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ai tha se vet qeveria ka pasur qëndrime të ndryshme për këtë çështje dhe kërkoi qëndrim zyrtar nga vartësi i kryeministrit Hoti.

“E kemi një paqartësi shumë të theksuar të ndërhyrjes së xhandarmerisë serbe në Karaçevë. Kemi deklarime të ndryshme prej qeverisë së njëjtë. Derisa kryeministri Hoti thotë se në rregull faleminderit KFOR-it. I keni respektuar patrullimin të sinkronizuar. Ministrja e Jashtme thotë se nuk ka qenë patrullim i sinkronizuar. Bile ajo thotë se kjo është shkelje e sovranitetit siç po thonë edhe ne që e demanton kryeministrin e vet. Problemi ditor tashmë është diskrepanca dhe dallimet që i ka qeveria dhe partnerët e koalicionit”, tha ai.

E sipas zëvendëskryeministrit, Tahiri informatat zyrtare i kanë se ky ka qenë patrullim i sinkronizuar.

“Informatat që i kemi zyrtare prej KFOR-it se ky ka qenë patrullim i sinkronizuar i përbashkët, ky ka qenë informata që e kam marrë unë prej kryeministrit”, tha ai.