Bashkimi e ka mposhtur skuadrën e Penzës në ndeshjen e tretë të serisë finale të Superligës së femrave në basketboll. Në ndeshjen e zhvilluar të enjten mbrëma në Prizren, Bashkimi ka triumfuar me shifrat 74:63.
Me këtë triumf, Bashkimi avancon me rezultatin e përgjithshëm 2:1 në serinë finale dhe i nevojitet vetëm një fitore në ndeshjen e katërt për ta fituar titullin e kampionit.
Dueli i katërt, do të luhet javën tjetër në Pejë.
Në duelin e së enjtes, te Bashkimi më të dalluarat ishin Saranda Daci e Aisha Balarabe, të cilat ndeshjen e mbyllën me “double-double”. Daci pati 18 pikë e 14 kërcime derisa Balarabe shtoi 18 pikë e 13 kërcime. Lojë të mirë te Bashkimi tregoi edhe Sara Vraniqi (15 pikë).
Ndërkohë, te Penza më efikasja ishte Diedona Halitaj me 20 pikë të shënuara, e përcjellë nga kapitenia Valbona Bytyqi që shtoi 16 pikë e 10 kërcime, të cilat nuk mjaftuan për të evituar humbjen e dytë rresht nga Bashkimi në serinë finale.