Fjalë Kyçe

KDI kërkon nga LDK e AAK “t’i heqin duart” nga bordet politike

KDI kërkon nga LDK e AAK “t’i heqin duart” nga bordet politike

Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës “t’i heqin duart” nga bordet publike.

Përmes një komunikate, KDI thotë se sipas raporteve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare, Kosova vazhdon të përballet me elemente të kapjes së shtetit, përderisa sipas tyre, është etabluar praktika e kapjes së bordeve të ndërmarrjeve publike dhe vendosja e njerëzve jokompetentë e partiak.

“Ndërmarrjet publike janë institucionet më të kritikuara për performancë të dobët, të cilat operojnë me humbje financiare, e madje disa prej tyre ndodhen buzë falimentimit. Sidoqoftë, të njëjtat po vijojnë të shërbejnë si strehë për akomodimin e njerëzve partiak nga subjektet politike që qeverisin me vendin. Kjo është reflektuar edhe gjatë emërimeve të fundit të bordeve të ndërmarrjeve të rëndësishme si Trepça, Infrakos dhe Posta e Kosovës, ku janë caktuar individë të cilët kanë garuar për poste publike nën logon e AAK-së e LDK-së”, thuhet në njoftim.

Sipas KDI-së, vendosja e individëve me prapavijë partiake në pozita të përkohshme pa respektuar procedurat e konkursit publik, është në kundërshtim me premtimin kryesor që bordet do të çkapen nga politika e do të jenë profesionale e të pavarura.

“KDI i bën thirrje Qeverisë që të respektojë ligjin dhe të mbajë zotimet e dhëna për çkapjen e shtetit dhe ndërmarrjeve publike nga politika”, thuhet në njoftim.