Komisioni Evropian ka thënë se ka arritur një marrëveshje me kompaninë farmaceutike “Gilead” për të blerë 500,000 komplete trajtuese të “Remdesivir”-it.
Ende asnjë trajtim nuk është dëshmuar se parandalon sëmundjen e rëndë pas infektimit me koronavirus, por ilaçi antiviral, i njohur edhe me emrin komercial “Veklury”, ka ndihmuar disa pacientë me COVID-19 të rikuperohen më shpejtë.
“Remdesivir” është aprovuar si trajtues për koronavirusin nga Komisioni në muajin korrik.
Organi ekzekutiv i BE-së thotë se kontrata e përbashkët e prokurimit është nënshkruar nga 36 pjesëmarrës, përfshirë të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së dhe Britaninë e Madhe. Marrëveshja do t’u mundësojë vendeve të blejnë ilaçin për përdorim emergjent apo edhe për nevoja rezervë, ka thënë kompania “Gilead”.
“Sot sigurojmë qasjen ndaj ‘Remdesivirit’ për trajtimin e rreth 500,000 pacientëve në nevojë”, tha Stella Kyriakides, Komisionerja për Shëndetësi dhe Siguri në Ushqim.
Në mesin e nënshkruesve të kësaj kontrate, veç 27 shteteve anëtare të BE-së dhe Britanisë së Madhe, është edhe Kosova.
Po ashtu, janë edhe Norvegjia e Islanda, pastaj Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia.
“Të gjitha vendet pjesëmarrëse tani mund t’i bëjnë porositë e tyre për të prokuruar ‘Veklury’-n direkt. ‘Veklury’ në këtë fazë është i vetmi ilaç i autorizuar nga BE-ja për trajtimin e pacientëve me COVID-19 që kanë nevojë për oksigjen”, thuhet në njoftimin e KE-së.