Fjalë Kyçe

KEK përmbush kërkesat e punëtorëve, anulohet protesta

KEK përmbush kërkesat e punëtorëve, anulohet protesta

Nënkryetari i Sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovë, Nexhat Llumnica, në një përgjigje për KOHËN ka treguar se pas komunikimeve me menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut, kanë realizuar pjesërisht disa kërkesa të tyre. Kjo i shtyu ta ndërprenë protestën.

Llumnica tha se aprovimi i kërkesës lidhet me marrëveshjen kolektive.

“Këtu përfshihet pushimi mjekësor. Në 20 ditët e para të pushimit mjekësor, që punëtorët janë paguar nga kompania vetëm 60 për qind, tash e tutje do të paguhen 100 për qind. Janë përfshirë edhe disa beneficione të tjera të cilat me kohë do t’i bëjmë të ditura sepse nuk janë realizuar tërësisht”, tha Llumnica.

Ndërkaq, ka shtuar se nuk u është realizuar kërkesa për përfitime shtesë gjatë pandemisë.

“Kemi kërkuar edhe disa bonuse për shkak të pandemisë, por për momentin nuk kemi rezultat nuk kemi realizim të tyre sepse gjendja në të cilën jemi është jo e mirë. Por nuk do të thotë që nuk do të realizohen ndërkohë”, u shpreh tutje Llumnica për KOHËN.

KEK-u ka ligji për siguri në punë dhe aty përcaktohet se sa fitojnë. Çdo punëtorë, vendi i punës i të cilit është me rrezikshmëri duhet t’i ketë 30 ditë pushim mjekësor për dallim nga punëtorët e tjerë, që iu takojnë 20 ditë pushimi mjekësor. aty theksohet se për këto ditë, ata do të paguhen 100 për qind. Deri tash, sipas Llumnicës, janë paguar vetëm 60 për qind.