Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se do të hapen hetime në lidhje me keqpërdorimet në librat amëz në disa institucione arsimore.
“Edhe një betejë me keqpërdorues. Kësaj radhe në lidhje me procesin e librave amëz ku si rezultat i kësaj kanë pësuar dhjetëra-mijëra studentë të cilët i kanë vijuar studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë”.
Nagavci thotë se shumë studentë kanë rënë pre e mashtrimeve duke mos mundur të vazhdojnë studimet.
“Këta studentë për shumë vite nuk kanë mundur t’i verifikojnë diplomat e tyre për punësim dhe vazhdim të studimeve, për shkak se shumica e tyre, kanë rënë pre e mashtrimeve”.
“Për këtë arsye, muaj më parë kam kërkuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion e Policisë së Kosovës që të zhvillojë hetime në lidhje me këtë çështje”.
“Si Ministri kemi vënë në dispozicion të Policisë një numër të dokumenteve me qëllim të zhvillimit të hetimeve”.
“Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, përmes një shkrese kam kërkuar nga kjo Njësi e Policisë së Kosovës që konform legjislacionit në fuqi të më informojnë për procesin hetimor të deritanishëm në lidhje më këtë proces”.
Nagavci ka kërkuar që kjo me prioritet në mënyrë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.