Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif tha se Teherani mund të tërhiqet nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), si pjesë e masave hakmarrëse, teksa Shtetet e Bashkuara kanë ashpërsuar sanksionet ndaj Iranit.
“Republika Islamike ka një sërë zgjedhjesh dhe autoritetet e shtetit janë duke i shqyrtuar ato… dhe largimi nga NPT është njëra nga to”, citohet të ketë thënë Zarif për median shtetërore iraniane.
Komentet e Zarifit vijnë teksa një gjeneral i rëndësishëm iranian paralajmëroi se Teherani mund të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, që është një rrugë kyçe për kalimin e anijeve, nëse përballet me më shumë “armiqësi”.
“Ne nuk jemi për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, por nëse armiqësitë e kundërshtarëve tanë rriten, ne jemi në gjendje ta bëjmë një gjë të tillë”, tha shefi i stafit të Forcave të Armatosura, Mohammad Bagheri për agjencinë e lajmeve ISNA.
Uashingtoni ka shtuar presionin politik dhe ekonomik ndaj Teheranit, që kur Presidenti Donald Trump mori detyrën në janar të vitit 2017. Trump, në maj të vitit 2018, njoftoi se Uashingtoni tërhiqet nga Marrëveshja Bërthamore e vitit 2015 dhe do të rivendosë sanksionet ekonomike. Irani edhe më herët ka kërcënuar se do të tërhiqet nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe vazhdimisht ka thënë se mund të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, e cila është një rrugë kyçe ku kalojnë anijet që transportojnë naftë.