Fjalë Kyçe

Kërkesa e Haradinajt për pjesëmarrje në dialog, vetëm për konsum elektoral dhe rritje të pazareve politike

Kërkesa e Haradinajt për pjesëmarrje në dialog, vetëm për konsum elektoral dhe rritje të pazareve politike

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj si duket do t’i tërheqë nga delegacioni i dialogut dy ministrat e tij, atë të Drejtësisë, Selim Selimi dhe atë të Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

Krejt këtë, Haradinaj po e bën që t’ia bëjë vetës një vend në dialog. Me këtë kërkesë të Haradinajt si duket janë pajtuar nga partia e tij, shkruan lajmi.net.

Siç është thënë, nëse një gjë e tillë është kërkesë dhe dëshirë e Haradinajt, ai do ta ketë edhe përkrahjen e anëtarëve tjerë.

“E kemi pasur mbledhjen e Këshillit Drejtues mirëpo një gjë e tillë nuk është diskutuar, s’kam ndonjë informacion. Natyrisht se nëse kjo ndodhë, do të ishte mirë edhe për Kosovën, ngase Haradinaj e ka përvojën e duhur edhe në dialog, dhe do ta kishte përkrahjen e AAK-së”, ka thënë një zyrtar i AAK-së për lajmi.net.

Nga e kaluara e pjesëmarrjeve të Haradinajt në dialog kemi parë se ai nuk është një person i përshtatshëm. Në Samitin e Berlinit Haradinaj ishte përplasur edhe me delegacionin e Kosovës atje, por edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e Francës, Emanuel Macron.

Çfarë mund të pritet nëse Haradinaj bëhet pjesë e delegacionit? Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija është shprehur se pjesëmarrja e Haradinajt në delegacion do t’i kontribuonte atij vetëm për fushatë elektorale dhe asgjë më shumë.

“Pikë së pari, ka mbaruar koha e grupeve të unitetit dhe pjesëmarrjes së liderëve në procesin e dialogut. Ajo që po tenton Haradinaj është që kinse t’i japë impuls të ri dialogut dhe të mos lejojë kinse pazare me Kosovën dhe me e ndërtu një narracion që Haradinaj ka ndaluar procese të dëmshme në kurriz të Kosovës. Kjo e gjitha është një fushatë elektorale sepse dihet edhe sondazhet e fundit tregojnë që në aktualitetin politik nuk i konvenojnë zgjedhjet asnjë partie politike, veç Vetëvendosjes.”, tha Alija.

Më tutje, Alija shprehet se Haradinaj po tenton të luaj rolin e liderit dhe t’ia diktojë qeverisë agjendat, që i bie sipas tij të jetë kryeministër pa qenë realisht kryeministër.

“Haradinaj po tenton të luaj rolin e liderit i cili e merr situatën në dorë dhe praktikisht e dikton qeverinë, i bie që të jetë kryeministër pa qenë kryeministër. Për rolin destruktiv dihet se Haradinaj me qëndrimet e tij që ka pasur karshi shumë proceseve sidomos në dialogun me Serbinë mirëpo nuk mund ta dimë qasjen e tij në dialog.”, shprehet më tutje Alija.

Ai thotë se është mirë që kërkesa e Haradinajt të dekonstruktohet qysh në fillim, sepse kërkesat e tij janë rritur dhe këtë sipas tij e vërteton fakti i pretendimeve për postin e presidentit.

“Është e rëndësishme të dekonstruktohet që në fillim kjo kërkesë e Haradinajt sepse tashmë janë rritur kërkesat e tij dhe kur i shtohet fakti nominimi nga subjekti i tij për president dihet se kërkesat vetëm po shtohen dhe kjo nuk është kërkesa e tij e parë ose e dytë sepse e kemi parasysh kërkesën e tij të kahmotshme për katër mandate radhazi të Kuvendit që ai të jetë kryeministër, dy herë e ka marrë këtë post dhe ka dhënë dorëheqje dhe tani mbi të gjitha është jo-etike dhe jo-morale të kërkojë dhe të ketë rol aktiv në procesin e dialogut, pa marrë parasysh qëllimeve të tij të mira”, tha më tutje Alija.

Krejt në fund, ai shprehet se nuk ka as legjitimitet, as moral e as etikë politike që Haradinaj të përfshihet në dialog.

“Nuk ka as legjitimitet, as moral dhe as etikë politike. Është vetëm krijimi i narracionit publik që ai është shpëtimtari i Kosovës dhe në të varen shumë procese e së këndejmi procesi edhe dialogut.”, tha ai.

Në anën tjetër, koalicioni qeverisës që nga fillimi po mbahet gjallë me tensione të ashpra midis partnerëve dhe me kërcënime të prishjes së koalicionit nga partia e Haradinajt.