Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin e thellë me vargun e pafund të punësimeve në institucione publike të familjarëve të drejtpërdrejtë të presidentit, të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës (kryeministrit, zv. kryeministrave dhe ministrave) dhe partive në pushtet. Kjo praktikë mbetet tregues i qartë që bartësit e institucioneve të Kosovës kanë shndërruar pushtetin publik në pronë private dhe që institucionet e Kosovës, me ata në krye, janë në shërbim të familjes, farefisit, dhe rrethit tyre të ngushtë.
Kosova mbetet vendi me numrin më të madh të të rinjve të papunë, dhe që si objektiv të vetëm të së ardhmes së tyre e shohin largimin nga Kosova. Veprimet e tilla të bartësve të institucioneve të Kosovës vetëm sa motivojnë këto trende.
Veprimet e tilla të favorizimit, pa asnjë kriter, të familjarëve të ngushtë të rrethit partiak humbin kuptimin e shtetit të së drejtës, meritokracisë dhe profesionalizmit. Në të njëjtën kohë, sidomos në raport me shumë ndërmarrje publike, ngufatja me anëtarë partiak dhe familjar të bartësve të institucioneve u ka humbur perspektivën zhvillimore kompanive në fjalë dhe po vazhdon që të pamundësoj operimin e tyre.
GLPS shpreh bindjen që këto veprime në të njëjtën kohë janë evidencë e dukshme që partitë politike në pushtet kanë kapur shtetin, dhe që Prokuroria dhe Gjyqësori mbeten vetëm degë të klaneve politike të partive politike në pushtet. Republika e Kosovës nuk mund të shndërrohet në fasadë që mbulon shkeljen e ligjit, nepotizmin, korrupsionin dhe që arsyeton funksionimin e shtetit për partinë dhe individin.
GLPS, duke shpresuar që në Prokurorinë e Kosovës ka prokurorë që posedojnë aftësi dhe guxim, bën thirrje që këta të fundit të hetojnë të gjitha rastet e punësimeve të familjarëve të bartësve të institucioneve. Secili rast i punësimit shpalos elemente të vepra të ndryshme penale të sanksionuar edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, në veçanti ato sipas nenit 190 që definon shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, nenit 219 që definon cenimin e të drejtave të punësimit dhe papunësisë, nenit 220 që përcakton cenimin e të drejtës në menaxhim, neni 414 që përcakton keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar dhe një numër veprash tjera të kodifikuara në Kodin Penal.
GLPS në të njëjtën kohë u bën thirrje liderëve të institucioneve që të shohin përtej familjeve dhe klaneve të tyre, dhe të fillojnë t’i shërbejnë ligjit. Veprimet e tyre ku shteti dhe prona shtetërore (përfshirë këtu ndërmarrjet publike) janë në shërbim të familjeve dhe klaneve të tyre kanë pasoja të drejtpërdrejta në të ardhshmen e vendit, sidomos duke dekurajuar dhe shpërfillur asetin kryesor të vendit, rininë, dhe duke i shtyrë ata që të migrojnë jashtë vendit./Gazeta Alo/