Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar të enjten nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet A.B., për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shantazhi”.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Prokuroria, i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore përmes paraqitjes së rreme të fakteve, ka mashtruar dhe ka vënë në lajthitje të dëmtuarën A.H., duke e nxitur të veprojë në dëm të pasurisë së saj.
E dëmtuara, e cila e kishte vajzën të sëmurë, ka rënë në kontakt me të pandehurin që i është prezantuar asaj si person me aftësi fetare shëruese.
Siç bëhet e ditur, në emër të këtij shërimi e dëmtuara i ka dërguar vazhdimisht të holla përmes agjencisë së transfereve në shumën prej 10 mijë frangash.
“Gjithashtu i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kanos personin, se do të zbulojë lidhjen e tyre jashtëmartesore, dhe për këtë i kërkon të holla duke e tërhequr pensionin e Zvicrës dhe të ja sjell të pandehurit. Kur e dëmtuara kupton se është viktimë e mashtrimit dhe refuzon t’i dërgojë më të holla, i pandehuri, me llogari falso, i dërgon të gjitha fotot dhe videot bashkëshortit të saj, përmes rrjetit social Facebook”, thuhet në njoftim.
Këto veprime formojnë dyshimin se i pandehuri ka kryer veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shantazhi”.