Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe të Kosovës do të zhvillojnë mbledhjen e tretë të Këshillit për Stabilizim-Asociim në Bruksel.
Në këtë takim pritet të diskutohen kriteret politike, ekonomike, bashkëpunimi dhe zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.
Erolld Belegu, këshilltar i kryeministrit, Ramush Haradinaj për klankosova.tv, ka dhënë detaje për takimin në fjalë.
“Takimi do te mbahet sot në Bruksel prej orës 13:00. Aty do të jetë edhe Kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj së bashku me ministrat Behgjet Pacolli dhe Dhurata Hoxha”.
“Në këtë takim do të shpaloset raporti vjetor për Marrëveshjen Stabilizim-Asociim të përgatitur nga Qeveria e Kosovës të cilin do ta lexoj ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha”, tha ai.
I pyetur nëse atje do të diskutohet për heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe cili do të jetë qëndrimi i Qeverisë, Belegu ka thënë se disa herë është bërë i qartë ky qëndrim.
“Qëndrimi i Qeverisë është bërë i qartë disa here dhe jam i sigurt se aty do të diskutohet edhe për këtë çështje”.
Belegu ka thënë se të gjitha kushtet janë pjekur që të vazhdohet dhe përfundohet dialogu me Serbinë.
Klan Kosova e ka pyetur këshilltarin Belegu nëse aty do të diskutohet edhe për idenë e korrigjimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë si zgjedhje përfundimtare për t’i normalizuar raportet, ai ka thënë se Qeveria nuk do ta përkrah këtë ide.
“Është bërë i qartë disa here qëndrimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me idenë e korrigjimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Haradinaj nuk do ta përkrahë këtë ide”.
Për t’u informuar më shumë lidhur me zhvillimet e fundit midis zyrtarëve të Kosovës dhe atyre të BE-së, klikoni në linkun e mëposhtëm.