Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka zbuluar sonte se cilët ishin emrat që janë lakuar për kryetar të kësaj partie.
Ai theksoi se kanë insistuar që ai vetë të konkurrojë dhe pohoi që ishte një konsensus i plotë për t’u orientuar për propozim.
“U përmendën drejtuesit e degëve të mëdha, si Lutfi Haziri, Agim Veliu, Gazmend Muhaxheri, ndërsa pati edhe tjerë si Kujtim Shala e Avdullah Hoti”, ka thënë ai.
“Në Kuvend ka pasur të drejtë të kandidojë secili sepse për kuvend nuk vlen asnjë marrëveshje dhe përkrahje paraprake. Ju e dini ka kandiduar edhe Fatmir Sejdiu, të tjerët nuk kanë kandiduar. Me status është e paraparë që zgjedhja të zhvillohet në dy faza, një fazë është procesi i kandidimit dhe në atë proces çdo kandidat duhet të marrë 50 për qind plus të votave të anëtarëve të kuvendit. E provoi dhe nuk ia doli”, ka thënë Mustafa në Rubikon.
Për shkak të gjendjes shëndetësore të tij, Mustafa bëri të ditur se shumë detyra e aktivitete të partisë të tij i ka lënë në duar Lutfi Hazirit.