Presidenti i Federatës sonë të Futbollit, Armand Duka ka konfirmuar kandidatët që qarkullojnë për stolin e kombëtares sonë.
Përveç pistave të huaja ai gjithashtu lë të hapur edhe mundësinë e një shqiptari në drejtimin e përfaqësueses.“Nuk mund ta mohoj se kam biseduar me trajnerë shqiptarë dhe të huaj dhe gjatë këtyre ditëve do të konkretizojmë ndonjë gjë më shumë. Reja është trajner i mirë, ashtu si të tjerët, por nuk kam bërë asnjë bisedë konkrete. Nuk duhet të nxitohemi. Kemi kohë për të vendosur, brenda muajit prill dhe të përgatitemi për ndeshjet e qershorit. Ajo që i jep më shumë avantazh një kandidati shqiptar është fakti që mund të njohë më mirë mentalitetin dhe mënyrën e komunikimit dhe ambientin. Kur themi trajner shqiptar që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, ekzistojnë mundësitë pse jo”, ishte komenti i Dukës për “A2”.
Kur është pyetur për emrat e Besnik Hasit apo Arjan Peços, Duka është përgjigjur. “Rrotull këtyre emrave, pasi nuk ka të tjerë. Pse jo dhe Ervin Bulku, pse jo dhe Sulejman Mema. Nuk e di nëse ishte kundërshtari modest, por përgatitja në një kohë të shkurtër nga Bulku dhe Mema, për mua ka qenë maksimal”, përfundoi Duka.