Fjalë Kyçe

Këta pritet të jenë ministrat nga LDK në Qeverinë Hoti

Këta pritet të jenë ministrat nga LDK në Qeverinë Hoti

E diela e nesërme do të jetë dita vendimtare për caktimin e ministrave nga LDK-ja në Qeverinë që do të udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

Klan Kosova mëson se për këtë nesër pritet të mblidhet kryesia e LDK-së për të vendosur se kush do të jenë figurat përfaqësuese në ministritë përkatëse.

Një burim brenda kryesisë së LDK-së thotë se Qeveria Hoti tashmë ka së paku 64 vota të siguruara për seancën që do të mbahet të martën në ora 10:00.

“Kemi së paku 64 vota për votimin e Qeverisë. Nesër është dita më e rëndësishme për ndarjen e përgjegjësive. Pritet të ketë zhvillime të rëndësishme”, thekson burimi.

Ndërkaq, nominimet fillestare, për të cilët Klan Kosova pati raportuar janë: Vlora Dumoshi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agim Veliu me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Lumir Abdixhiku me Ministrinë e Financave dhe Transfereve, Arban Abrashi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Armend Zemaj me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa Hykmete Bajrami do të zë postin e zëvendëskryeministres. Ndërkaq, Besian Mustafa do të lë postin e ministrit të Bujqësisë dhe do të merr atë të udhëheqësit të Dikasterit të Integrimeve Europiane në kuadër të MPJ.