Fjalë Kyçe

Këtë shifër arrin “Prishtina Parking” brenda një dite

Këtë shifër arrin “Prishtina Parking” brenda një dite

“Prishtina Parking” arrin afër 10 mijë euro të hyra brenda një dite

Ndërmarrja publike “Prishtina Parking” ka arritur që brenda një dite të grumbullojë afërsisht 10 mijë euro vetëm nga SMS-të për pagesën e parkingjeve, pa llogaritur këtu edhe gjobat që vënë gjatë ditës.

Sipas njoftimit të “Prishtina Parking”, mbrëmë është arritur numri rekord i SMS-ve të dërguara për pagesën e parkingjeve në Zonën 1 dhe 2.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, “Prishtina Parking” ka pranuar rreth 7035 mesazhe. 1678 prej tyre ishin për pagesë në Zonën 1, ndërkaq 5353 SMS thuhet të jenë dërguar për pagesën e parkingut në Zonën 2.

“Prishtina Parking” ka njoftuar se ka rritje të konsumatorëve krahasuar me ditët e kaluara.

Një orë parkingu në Zonën 1 kushton 1 euro, ndërkaq Zona 2 është përgjysmë më lirë. Një veturë mund të parkohet për maksimum 180 minuta në një zonë të caktuar.

Lidhur me gjobat e vendosur nga kjo ndërmarrje ditë më parë është marrë vendimi për ndryshimin e rregullores së saj.

Rregullorja e re nuk parasheh më gjoba standarde për personat që parkojnë automjetet e tyre në parkingjet e menaxhuara nga ndërmarrja dhe nuk kryejnë pagesë. Në vend të saj, shoferët do të detyrohen të paguajnë një biletë 24-orëshe dhe gjithashtu do t’u vendoset edhe bllokada në rrota.

Kjo biletë do të vlejë më pas për 24 orët e ardhshme për të gjitha parkingjet e menaxhuara nga “Prishtina Parking” dhe kushton 20 euro.

Ndërmarrja “Prishtina Parking” është njëra prej ndërmarrjeve më të diskutueshme lidhur me operimin e tyre në kryeqytet. Ajo ishte kritikuar tej mase nga banorët rezidentë për mënyrën e funksionimit të saj.