Komandanti i KFOR-it, Oezkan Ulutash, ka thënë se përgjegjësit për sulmin në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar, duhet që urgjentisht të sillen para drejtësisë.
Ai ka thënë se NATO-ja kërkon nga Serbia që të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për këtë rast.
“KFOR-i synon të sigurojë që sulme të tilla të mos përsëriten. Është e rëndësishme që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara, të cilat mund të nxisin tensionet, të rrezikojnë sigurinë ose të rrezikojnë ushtarët e KFOR-it. NATO-ja vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për të arritur zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”, ka thënë komandanti në largim, gjeneralmajor Ulutash gjatë fjalimit të tij në selinë e NATO-s në Bruksel.
Gjeneralmajor Ulutash jep dorëheqjen më 11 tetor 2024. Ai do të pasohet nga gjeneralmajor Enrico Barduani, nga Italia.