Kina ka vendosur të ndalojë ngritjen e ndërtesave super të larta në qytetet e vogla, pjesë kjo e një përpjekje për të goditur projektet e vanitetit thotë BBC.
Vendi është shtëpi e disa prej godinave më të larta në botë, përfshirë Shanghai Tower me 128 kate.
Sipas vendimit të marrë, qytetet me popullsi më pak se tre milionë banorë nuk do të lejohen të ndërtojnë qiellgërvishëse më të larta se 150 metra. Ato me popullsi më të madhe se kaq do të mund të ndërtojnë struktura deri në 250 metra. Ministria për Strehim dhe ajo për Menaxhim të Emergjencave e bënë të qartë se personat që shkelin rregullat e reja, do të mbajnë “përgjegjësi të përjetshme”.
Një masë që ndalonte ndërtesat më të larta se 500 metra, ishte marrë dhe më herët. Në Kinë ndodhen disa prej ndërtesave më të larta të globit, përpos Kullës së Shangait, është edhe Qendra Financiare Ping An në Shenzhen, 599 metra e lartë. Sipas raporteve lokale, rrokaqiejt mund të nevojiten në qytete më të populluara si Shangai dhe Shenzheni, por jo në qytete të vogla./tch