Ramush Haradinaj, që deri para disa orësh ishte kryeministër i vendit, e ka uruar krijimin e Qeverisë së Kosovës në krye me Albin Kurtin, ai a ka thënë se gjendet jashtë vendit dhe kjo është arsyeja pse nuk mund t’ia dorëzoi mandatin e kryeministrit.
Ai ka thënë se ky është lajm i mirë, derisa ka shprehur besimin që qeveria e re t’i dalë zot temave të rëndësishme për qytetarët dhe vendin.
Ish-kryeministri ka njoftuar se meqë ai është duke qëndruar në SHBA për vizitë zyrtare, dorëzimi i mandatit të kryeministrit në mënyrë formale për Albin Kurtin do të bëhet nga zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli.
“Në këto ditë, unë po qëndroj për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një agjendë që është caktuar shumë kohë më përpara dhe kësisoj pranim – dorëzimi i mandatit, formalisht do të bëhet nga ana e ZëvendësKryeministrit të parë z. Behgjet Pacolli, të cilën procedurë tashmë e kam autorizuar”, ka thënë Haradinaj.
Postimi i plotë i Ramush Haradinaj në Facebook:
Nga sot, Kosova ka hyrë në një fazë të re me krijimin e institucioneve.
Votimi i Qeverisë së re nga ana e Parlamentit të Kosovës është lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë.
Uroj që ky konstalacion politik të arrij t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin.
Në këto ditë, unë po qëndroj për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një agjendë që është caktuar shumë kohë më përpara dhe kësisoj pranim – dorëzimi i mandatit, formalisht do të bëhet nga ana e ZëvendësKryeministrit të parë z. Behgjet Pacolli, të cilën procedurë tashmë e kam autorizuar.
Edhe njëherë shpreh besimin që Qeveria e re, t’i dalë zot temave të rëndësishme për qytetarët tanë.