Fjalë Kyçe

“Kjo është e bukura kur luajmë ndaj kombëtareve të forta”, Broja shprehet i gatshëm për Euro 2024

“Kjo është e bukura kur luajmë ndaj kombëtareve të forta”, Broja shprehet i gatshëm për Euro 2024

Shqipëria fitoi me rezultat bindës 3-0 në miqësoren ndaj Lihtenshtajnit e cila u zhvillua në Hungari. Në mesin e golashënuesve ishte edhe Armando Broja, i cili shënoi në minutën e 31-të për të hapur serinë e golave.

Pas ndeshjes, Broja tha se ndonëse gjërat në nivel klubi nuk po shkojnë mirë për të, ai gjithmonë emocionohet kur bashkohet me Shqipërinë.

“Gjërat tek klubi nuk shkojnë gjithmonë si do ti por zgjedh trajneri ai e ka në dorë. Kur vij këtu më jep emocion tjetër dhe kur bashkohemi me çunat është një gjë e bukur, mund të luaj futbollin ashtu siç e kam qejf unë edhe futboll të bukur”.

“Jam gjithmonë gati, qëkur kam qenë djalë i vogël. Unë jap maksimumin, jam këtu për të ndihmuar ekipin me gola me asistime dhe të bëj punën time se sulmues jam që të bëj diferencën, për këtë rëndësi jam këtu, do Zoti që të bëj sa më mirë për Kombëtaren”, ka thënë fillimisht Broja.

Tutje, Broja tha se ka punuar shumë në aspektin fizik për të qenë sa më i gatshëm për Euro 2024.

“Tek ana fizike jam shumë mirë, kam punuar shumë për të qenë në formë maksimale, jam kthyer si përpara dëmtimit. Jam shumë mirë, kam pasur qejf të luaja edhe më shumë sot, por trajneri e di që të shoh edhe lojtarët e tjerë”.

“Më ka pëlqyer shumë sot të isha në fushë. Kam qenë gati 2 vjet jashtë Kombëtares për shkak dëmtimit, e njohim mirë njëri tjetrin ne çunat dhe shkojmë mirë të gjithë bashkë, rrimë bashkë dhe jashtë stërvitjes, trajneri na ka bashkuar si ekip”.

“Luajmë edhe për tifozët, më kanë dhënë një dashuri të madhe kur vij këtu dhe i falënderoj shumë që të gjithë shqiptarët për besimin që kanë tek unë”.

“Të gjithë lojtarët këtu kanë luajtur kundër ekipeve të forta, kjo është e bukura kur luajmë kundër të fortave. Kemi punuar fort dhe e dimë që nuk është rehat, por jemi përgatitur shumë mirë, varet gjithçka nga ndeshja, është vetëm 90 minuta dhe jam gati për gjithë rastet që më dalin përpara”, përfundoi ai.