Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk ka marrë lëndime serioze nga një aksident me makinë në Kiev, të mërkurën.
Sipas një deklarate të sekretarit të shtypit të presidentit, “një makinë u përplas me makinën e Presidentit të Ukrainës dhe automjetet e shoqërimit”.
Mjekët që shoqëronin Zelenskyn i dhanë ndihmë mjekësore shoferit të makinës dhe e transferuan atë në një ambulancë.
“Presidenti u ekzaminua nga një mjek, nuk u gjetën lëndime serioze”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes. Të mërkurën, Zelensky e vizitoi qytetin Iziumin, në rajonin verilindor të Kharkivit, i cili sapo u rimor nga forcat ruse, shkruan CNN, transmeton KlanKosova.tv.