Fjalë Kyçe

Kjo është gjendja në veri pas aksionit të sotëm të policisë

Kjo është gjendja në veri pas aksionit të sotëm të policisë

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës sot në veri ka rezultuar me arrestimin e 19 zyrtarëve policorë të cilët dyshohen se ndërlidhen me krimin e organizuar dhe kontrabandën.

Fillimisht, Policia e Kosovës hasi në rezistencë të armatosur nga disa serbë të cilët po ashtu kishin vendosur barikada për bllokimin e rrugës, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, me kalimin e kohës Policia arriti t’i largojë këto barrikada dhe të depërtojë brenda Zubin Potokut ku u kryen arrestimet kryesore.

Nga përleshjet me armë zjarri, dy policë mbetën të plagosur, ndërkaq që  tre të tjerë u lënduan gjatë aksionit dhe largimit të barrikadave.

Kjo shkaktoi situatë të tensionuar atje, dhe konfrontim tjetër politik mes Kosovës e Serbisë.

Madje, më vonë gjatë ditës mediat serbe raportuan se tanket dhe autoblindat janë në gjendje gatishmërie për çdo rast.

Disa orë pas përfundimit total të aksionit, gjendja në veri është e qetë.

Mediat serbe raportojnë se banorët e këtij komuniteti janë shprehur të gatshëm të mos i kontribuojnë tensionimit të situatës.

Kjo mbetet gjithnjë në kuadër të këtyre raportimeve, ngase lajmi.net ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Policia e Kosovës në veri, mirëpo një të tillë nuk e ka marrë.

E gjatë ditës së nesërme, në veri të vendit është raportuar se do të ketë protesta, të cilat sipas presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq do të jenë masive.

Ndërkaq, prokurori special, Sylë Hoxha më herët në një paraqitje televizive konfirmoi se arrestimit i kanë shpëtuar disa persona.

Të njëjtit dyshohet se janë të ndërlidhur me të dyshuarin kryesor në rastin e vrasjes së ish-liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq.