“E lindur në një kamp të refugjatëve në Maqedoni, nga prindërit që kishin ikur prej luftës në Kosovë, Fatime Gashi asnjëherë nuk e kishte menduar që do të bëhej një mbretëreshë bukurie”, kështu fillon artikulli i shkruar nga “Daily Mail”, për bukuroshen me prejardhje nga Kosova që vitin e kaluar rrëmbeu kurorën e Miss Manchester.
22 vjeçarja ka përfunduar studimet në Shkencat bio-mjekësore në Universitetin e Salfordit.
Artikulli flet se si bukuroshja shqiptare kishte marrë mesazhin që kishte hyrë në garë për Miss Manchester, kur ishte duke studiuar për provimin e saj të fundit.
Gashi në fillim nuk kishte dashur të merrte pjesë pasi që dëshironte të përfundonte studimet, por kur iu kishte treguar prindërve të saj për garën, ata e kishin bindur të merrte pjesë.
22 vjeçarja jo vetëm që e fitoi garën, por edhe arriti sukses në studime, ku mori edhe diplomën për Shkencat bio-mjekësore.
Tanimë Fatimja është duke pauzuar nga studimet dhe është duke punuar në një klinikë për kujdes të lëkurës në Manchester.
Fatimja përveç thyerjes se barrierave për bukurinë, dëshiron të ndryshojë edhe paragjykimet në lidhje me refugjatët.
“Vetëm pse je në një shtet tjetër kjo nuk të ndalon për të bërë atë që do. Unë vërtetë dëshiroj që refugjatët të shohin që mund të arrijnë kaq larg. Unë nuk kam menduar që do të bëja ndonjëherë diçka.
Unë jam vetëm një vajzë e vogël kosovare dhe jam Miss Manchesteri”, ka thënë ajo. 22 vjeçarja jeton ende me prindërit e saj, nëna punon në kompaninë “Amazon”, ndërsa babai i saj është një instruktor i vozitjes, shkruan 21 media.
Artikulli gjithashtu tregon që gjatë studimeve, bukuroshja kosovare ka punuar si një mësuese e matematikës si dhe ka qenë vullnetare në spitale dhe shumë qendra bamirësie në Manchester.
“Unë gjithmonë kam dashur të jem mjeke, sepse jeta ime ishte shpëtuar nga një i tillë kur kam qenë tetë vjeçare”, ka thënë Fatimja. Bukuroshja kosovare ka treguar që Kosovën e viziton çdo verë pasi që këtu ka gjyshërit.