Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur publikimin e deklarimeve të pasurisë nga zyrtarët shtetërorë. Kryeparlamentari Glauk Konjufca në deklarimin e tij ka bërë të ditur se ka në pronësi një banesë 100 metra katrorë, e blerë me kredi në vlerë prej 67.125 euro.
Para të gatshme të mbajtura në një institucion financiar ka rreth pesë mijë euro derisa ka marrë kredi 67 mijë euro, në 12 vjet kohëzgjatje për kthim.
Burim i vetëm financiar është paga e tij prej kryeparlamentari, 3.095 euro në muaj derisa paga e bashkëshortes Emira Bajçinca, 640 euro, si mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës.
Ndërsa, e para e shtetit, Vjosa Osmani, në deklarimin e pasurisë, ka bërë të ditur se ka në pronësi një banesë të papërfunduar, në vlerë prej 40 mijë eurosh, sipërfaqe rreth 83 metra katrorë, e blerë me kursime dhe kredi.
Osmani në pronësi ka një garazh të papërfunduar, në vlerë prej 2.500 euro dhe parcelë toke 5 ari, në vlerë prej 35 mijë eurosh e blerë me kredi dhe kursime.
Bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, ka një banesë në vlerë prej 66 mijë euro, dy shtëpi, njëra në vlerë prej 120 mijë euro dhe tjetra 180 mijë euro. Gjithashtu edhe ai ka në posedim një garazh në vlerë prej 5 mijë euro.
Presidentja Osmani ka rreth 39 mijë euro para të gatshme të mbajtura në institucionet financiare, derisa bashkëshorti i saj rreth 12 mijë euro. Të dy kanë detyrime financiare rreth 97 mijë euro.
Si burim i të hyrave, presidentja Osmani ka bërë të ditur se i ka nga paga dhe mëditjet në Kuvendin e Kosovës, rreth 33 mijë euro në vjet, derisa bashkëshorti i saj rreth 45 mijë euro të hyra.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka një apartament në emër të bashkëshortes, i blerë në vitin 2018, 67 metra katrorë në vlerë prej 400 mijë eurosh në Norvegji.
Para të gatshme, bashkëshortja e Kurtit, Rita Augestad Knudsen, ka deklaruar rreth 10 mijë euro, derisa Kurti ka rreth 529 euro.
Detyrime financiare, Kurti ka 250 euro për qiranë e shtëpisë, në kohëzgjatje prej tri vitesh, derisa bashkëshortja ka marrë kredi 300 mijë euro kredi, në kohëzgjatje prej 25 vjetësh.
Të hyrat mujore, Kurti si kryeministër ka 1.305 euro dhe rreth 4.200 euro pagat në muajit janar, shkurt, mars 2021. Rita Augestad Knudsen pagë mujore në Nupi të Oslos ka rreth 3.915 euro.