Fjalë Kyçe

Kjo është shpella që strehoi të plagosurit në luftë

Kjo është shpella që strehoi të plagosurit në luftë

Në brendi të qytetit të Shtimes ndodhet rruga që të shpie drejt të ashtuquajturës “Shpella e Lakuriqëve”, siç njihet nga banorët, e cila shërbeu si Spital Ushtarak në zonën e Nerodimes për të plagosurit në periudhën e luftës.

Ngjitja deri te kjo shpellë është një sfidë më vete, pasi që ndodhet rreth 1000 metra lartësi.

Ajo vizitohet vazhdimisht nga qytetarë që më së miri ia njohin historinë, e përmes vizitave ata i rikthejnë kujtimet rrëqethëse, raporton emisioni SOT në KTV.

Të freskët edhe sot e ka përjetimin Faton Qarri, njëri nga ushtarët e plagosur, i cili u kurua pikërisht në këtë shpellë.

Detajet që i kujton ushtari i plagosur, pavarësisht plagëve të marra, janë të njëjtat me ato që i rrëfen edhe Nexhat Shahini, pjesëtar i Njësisë Speciale.

Ky i fundit kujton frikën që u kishte ngjallur ndeshja me një uniformë serbe në hyrje të shpellës, pa harruar momentin e varrosjes së njërit nga të vdekurit në mes të të plagosurish.

Qëndrimin e të plagosurve në këtë shpellë e bëri të mundshëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që, sipas Ramiz Smajlit, aso kohe rojë e shpellës, kishin dërguar ujë ushqim për të plagosurit, pa harruar që të ndajë emocionin e përjetuar.

Të hyjë brenda shpellës e ta rikthejë në kujtesë nxjerrjen e të plagosurve, nuk ngurron ta bëjë Besim Nuha, një tjetër pjesëtar i Njësisë Speciale.

Historinë e “Shpellës së Lakuriqëve” e njohin edhe bjeshkatarët e kësaj zone. Ata preferojnë ngjitjet deri tek ajo, sepse, sipas tyre, është mirë të mos harrohen përjetimet e tilla në periudhën e luftës.

Spitali Ushtarak i zonës së Nerodimes vizitohet vazhdimisht gjatë datave historike, si ajo e Pavarësisë së Kosovës, për të kujtuar funksionin dhe misionin e dikurshëm.