Fjalë Kyçe

Kjo është shuma marramendëse që paguan qytetarët e Kosovës për gabimet në trafik

Kjo është shuma marramendëse që paguan qytetarët e Kosovës për gabimet në trafik

Sipas Policisë së Kosovë, vitin e kaluar janë shqiptuar mbi 445 mijë tiketa të trafikut, ndërsa në 24 orët e fundit ka shqiptuar 200 tiketa.

E si pasojë e mosrespektimit të shenjave të komunikacionit, 17 persona kërkuan ndihmë mjekësore. Ndërkohë 37 aksidente të tjera, përfunduan me dëme materiale.

Ndërkaq, vetëm në javën e fundit, Policia ka shqiptuar afër 3 mijë tiketa të trafikut. E numër i madh i tiketave, ishin shqiptuar edhe gjatë tërë vitit të kaluar.

Sipas një përgjigje të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë 2019’ës, janë shqiptuar afër gjysmë milioni tiketa.

Ndërkohë, më së shumti kosovarët në trafik, u gjobiten si pasojë e mosrespektimit të shpejtësisë së kufizuar.

Nga numri i përgjithshëm i tiketave të shqiptuara për vitin 2019, prej 445,729, llojet më të shpeshta të kundërvajtjeve kanë qenë:

• 40.9 % mos respektimi i shpejtësisë së kufizuar,

• 14.8 % parkim i parregullt,

• 9.7 % rripi i sigurisë,

• 5.4 % mos respektim i shenjave të trafikut, dhe

• kundërvajtjet tjera me përqindje më të vogël.

Edhe shuma që shoferet paguan për këto kundërvajtje, ishte goxha e madhe.

Vetëm brenda vitit të kaluar, sipas një përgjigje nga Ministria e Financave dhe Transfereve, ngasësit paguan mbi 10 milion e 500 mijë euro.

Sipas të dhënave nga Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Financave të Kosovës (SIMFK), në vitin 2019 shuma e të hyrave nga gjobat në trafik kanë qenë gjithsej 10,520,651.83 Euro.

Po ashtu, në këtë përgjigje, bëhet e ditur që sipas Ligjit të Financave te Pushtetit Lokal neni 18, gjobat e shqiptuara për shkeljet në trafik janë të hyra vetanake të komunave.

Ndërsa alokimi i këtyre mjeteve është bërë për çdo muaj nga Policia e Kosovës në komunat përkatëse.