Fjalë Kyçe

Kjo është skuadra fituese e trofeut “Adem Jashari” në futsall

Kjo është skuadra fituese e trofeut “Adem Jashari” në futsall

Klubi i futsallit “Prishtina” është fitues i edicionit të 10-të të turneut ndërkombëtar “Adem Jashari”, që u mbajt në kryeqytet nën organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës, shkruan GazetaAlo

Hapja e turneut u bë dje nga Hamëz Jashari, djali i Bekim Jasharit, derisa Prishtina e mundi 7:0 ekipin SEEU nga Tetova në ndeshjen e parë, kurse Shkupi ishte më i mirë se Drenica Tradita, 6:2.

Ndërkohë, sonte, në ndeshjen finale Prishtina arriti ta mposhtë Shkupin, me rezultat 4:2.

Që nga fillimi i ndeshjes u zhvillua lojë shumë e fortë dhe cilësore, por prishtinasit u treguan më efikas dhe arritën që në pushim ndërmjet dy pjesëlojëve të shkojnë me epërsi 2:0, me golat e shënuar nga Shqipron Brahimi (15’) dhe Drilon Paçarizi (22’). Edhe në pjesën e dytë futbollistët e Prishtinës e menaxhuan më mirë lojën, duke e shënuar edhe golin e tretënëpërmjet Ferid Agushit (27’).

Ndërkohë, shkupianët arritën të ngushtojnë epërsinë vetëm një minutën më vonë me golin e Taulant Ismailit, por prishtinasit shënuan sërish në minutën e 36-të me autor Jeton Rukovcin.

Në minutat e mbetura shkupianët u përpoqën të bëjnë kthesë në rezultat, por nuk arritën më shumë se sa ta shënojnë golin e dytë nëpërmjet Rexhep Sulejmanit. Kësisoj, në fund me plot meritë fitores dhe trofeut “Adem Jashari” iu gëzuan futbollistët e Prishtinës.

Ndërkohë, në ndeshjen për vendin e tretë Drenica Tradita e mposhti ekipin SEEU nga Tetova , me rezultat 4:3. Golat për drenicasit i shënuan Blend Bejta (6’, 23’), Fatmir Bekaj (14) dhe Rrustem Dobra (37’), derisa për tetovarët shënuan Isen Mehmedi (17’), Kushtrim Karimani (27’) dhe Altin Salimi (30’). Në fund u shpallën edhe më të dalluarit e këtij turneu: Epiteti i portierit më të mirë i takoi Fidan Gashit të Prishtinës, derisa Drilon Paçarizi i të njëjtit ekip u zgjodh lojtari më i mirë.

Ndërkaq, golashënuesi më i mirë ishte Ismet Ceka i Shkupit me 3 gola. Ndërkohë, trofeun e turneut kapitenit të Prishtinës, Drilon Paçarizi ia dorëzoi anëtari i KE të FFK-së, Ilaz Mjaku, derisa medaljet për ekipet i ndanë Rasim Gimolli dhe Skënder Sadiku. Mirënjohjet dhe çmimet tjera i ndanë Ismajl Kosumi, Rinor Havolli, Hysni Gjinovci, Agim Avdyli e Suad Keçi./GazetaAlo