Fjalë Kyçe

Klinaku: Kosova nuk ka detyrim për hapjen e ambasadës në Jerusalem, marrëveshja ishte vetëm verbale

Klinaku: Kosova nuk ka detyrim për hapjen e ambasadës në Jerusalem, marrëveshja ishte vetëm verbale

Njohës i çështjeve në Lindjen e Mesme Abdullah Klinaku, ka thënë se zotimi i Kosovës për hapjen e Ambasadës në Jerusalem ka qenë zotim verbal i dhënë nga Qeveria e Kosovës.

Klinaku në emisionin Info Magazine në Klan Kosova tha se përderisa nuk ka ndonjë zotim apo marrëveshje të shkruar i takon çdo qeverie që t’i shqyrtojë vendime e qeverisë paraprake.

Ai theksoi se Jerusalemi konsiderohet si vend i kontestueshëm ndërkombëtarisht, madje edhe me rezoluta ndërkombëtare. Sipas tij tek vendet ku janë të kontestuara Kosova duhet të ketë kujdes se si vepron.

“Në zotimet e dala nga “Marrëveshja e Washingtonit”, nuk përmendet askund që Kosova do ta vendos Ambasadën në Jerusalem. Ne përmes atyre zotimeve e kemi fituar një njohje shumë të rëndësishme siç është njohja e Izraelit”.

“Zotimi ynë përhapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka qenë zotim verbal të cilin e ka dhënë Qeveria e Kosovës. Dhe përderisa nuk e kemi një zotim të shkruar dhe një marrëveshje të shkruar i takon çdo qeverie që t’i shqyrtojë vendime të qeverisë paraprake”.

“E dyta nëse veprojmë mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare jemi duke e vendosur Ambasadën në një territor minimalisht të kontestuar ndërkombëtarisht. Dhe përderisa është i kontestuar ndërkombëtarisht dhe i gjykuar në bazë të rezolutave. Asaj 1947, 1948, 1967 e deri tek “Marrëveshjet e Oslos” që u përmenden 1993 dhe asaj 2000, i bie që Jerusalemi është vend i kontestuar. Dhe në bazë të “Konventës së Vjenës”, duhet të kemi kujdes se si veprohet në ato vende ku kontestohet pushteti juridik dhe faktik në ato vende”.