Qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të imunizohen as këtë të diel kundër COVID-19.
Kjo për shkak se Komitetit për Vaksinim ka shpallur fundjavën pushim për stafin shëndetësor të punësuar për vaksinimin e qytetarëve.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ata nuk kanë caktuar asnjë termin për të shtunën e të dielën.
Që nga fillimi i vaksinimit në masë, janë vaksinuar afro 305 mijë persona, ndërsa numri total i dozave të administruara ka mbetur statik që nga dita e premte.
Mirëpo, ngarkesë për Qendrat Klinike tani po paraqet mbipopullim me pacientë, të cilët si pasojë nga infektimi me COVID-19 kanë probleme me zemër.
“Kjo e ngarkon shërbimin tonë sepse janë ende nën ndikimin e terapisë. Rastet të tilla që vijnë pasi kanë kaluar Covidin i bëhen ekzaminimet brenda dy orësh dhe në bazë të gjetjeve përsëri hospitalizohen për t’i tejkaluar ato vështirësi të cilat i ka sjellë Covid-19”, ka thënë drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani.
Shtatë raste pozitive me COVID-19 janë shënuar të dielën në Kosovë, nga testimi i 2.202 personave të dyshuar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes si pasojë e koronavirusit.
Ndërkohë, janë shëruar vetëm dy persona, duke e çuar numrin e të shëruarve në mbi 100 mijë. Numri i rasteve aktive aktualisht në tërë Kosovën, sipas MSH-së, është 103.