Fjalë Kyçe

Klinika Infektive vërshohet nga pacientët me coronavirus

Klinika Infektive vërshohet nga pacientët me coronavirus

Rritja e madhe e rasteve me COVID-19 ka shtuar numrin e pacientëve që ditëve të fundit po kërkojnë ndihmë në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Ushtruesja e detyrës e drejtoreshës së Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, tha për KALLXO.com se 90 deri në 100 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore brenda ditës.

“Në Klinikën Infektive kohëve të fundit, sidomos nga java e kaluar, kemi numër të shtuar të pacientëve që kërkojnë edhe ndihmë mjekësore por edhe që janë të spitalizuar. Ky numër sillet prej 90 deri në 100 pacientë të cilët janë të spitalizuar brenda ditës. Ka edhe pacientë të cilët lirohen pas përmirësimit të  gjendjes së përgjithshme, mirëpo në ndërkohë pranohen edhe pacientë të tjerë. Rastet e pranuara sillet rreth 10 në ditë”, tha ajo.

Ajazaj-Berisha tutje tregon se mbi 50 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi, kurse dy janë në respiratorë.

“Javën e fundit kemi prej 130 deri në 170 raste të cilët vijnë në vizitë me manifestime klinike por edhe një numër i rasteve pa manifestime të cilët kërkojnë testim. Ndërsa sa i përket pacientëve të spitalizuar, nga 50 deri 60 pacientë e këtyre pacientëve janë me oksigjeno –terapi, sot i kemi edhe dy pacientë të cilët janë në respiratorë në CPAP”, tha Ajazaj – Berisha.

Aktualisht Klinika Infektive ka 120 shtretër për pacientët me coronavirus.