Fjalë Kyçe

Klubet e futbollit lëshojnë Kosovën

Klubet e futbollit lëshojnë Kosovën

Gati të gjitha klubet e Ipko Superligës kanë shkuar për përgatitje në Turqi dhe Shqipëri

Kur kanë mbetur më pak se katër javë deri te fillimi i sezonit pranveror në Ipko Superligë, shumë klube elitare e kanë lëshuar Kosovën.

Ato kanë vendosur kampe në shtete tjera për t’u përgatitur për pjesën e dytë të kampionatit, i cili pritet të sjell garë të fortë si për titullin e kampionit ashtu edhe për mbijetesë në Ipko Superligë, raporton T7.

Infrastruktura e dobët sportive në Kosovë, që nuk i përballon stinës së dimrit, po i shtynë skuadrat kosovare të shkojnë për përgatitje në Turqi dhe Shqipëri, ku gjejnë klimë më të mirë dhe kushte të kënaqshme për punë.

Natyrisht, Turqia është më e shtrenjtë. Por kjo nuk ka paraqitur problem për kandidaten kryesore për titull, FC Prishtinën, që të shkojë në Antali për një kamp përgatitor dy javor.

Edhe kandidati tjetër për titull të kampionit, Feronikeli, ka shkuar për përgatitje në Turqi, bashkë me disa përforcime të bëra në Kosovë.

Ndërkohë, kandidati i tretë për titull, Llapi, fillimisht shpenzoi para në Kosovë duke i sjell në skuadër disa lojtarë cilësorë dhe pastaj shkoi në Shqipëri për përgatitje, duke e vendos kampion e vet në Durrës.

Bregdeti shqiptar është nikoqir i këtij dimri edhe për Gjilanin, Drenicën, Trepçën ’89, Flamurtarin, Ballkanin.

Në Shqipëri pritet të shkojnë edhe Liria dhe Ferizaj, të cilat fillimisht po bëjnë përpjekje të ri organizohen dhe të përforcohen para se të shkojnë në kamp përgatitor.

Ndërkohë, kampionia në fuqi, Drita, edhe pse ka ngecë shumë prapa në luftën për titull, ajo e ka zgjedhur Turqinë për një kamp përgatitor për sezonin pranveror.