Klubet e mëdha të sportit në Kosovë, KB Prishtina, KB Peja, KF Feronikeli e shumë të tjera janë solidarizuar me të prekurit nga tërmetet që e goditën sot Shqipërinë, përmes disa postimeve në rrjetin social Facebook.
Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe rreth 600 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë. Sipas Emergjencave Civile, një person humbi jetën pasi u hodh nga banesa nga paniku, ndërsa dy të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat e një pallati në Thumanë. Po ashtu është nxjerrë një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e një shtese të një pallati në Durrës, raporton Gazeta Express.
“Lutemi për familjet e prekura nga tërmeti. Me mendje e me zemër pranë vëllëzerve dhe motrave tona”, shkruhet në profilin e KB Prishtinës.

“Ngushëllime familjarëve të viktimave të tërmetit të sotëm që goditi Shqipërinë. Lutemi për të gjithë vëllezërit e motrat tona të prekura nga kjo tragjedi”, shkroi KF Feronikeli.

“Bashkndjejmë me vëllezërit tanë. Lutemi për Ju. Qëndroni të bashkuar, vëllezër”, shkroi FC Prishtina.

“Ngushëllime familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve dhe të lënduarve në Shqipëri”, thuhet në postimin e KB Pejës.

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.4 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.
Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar.