Vedat Muriqi nuk e di ende se ku do të luajë në sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi kosovar shkëlqeu në La Liga për gjysmë sezoni sa luajti në Mallorca duke i realizuar 5 gola dhe duke i bërë 3 asistime.
Por, klubi spanjoll nuk ka vendosur ende nëse do ta blejë apo jo kartonin e prizrenasit, i cili u huazua për 6 muaj në ishull.
E derisa situata me Mallorcan mbetet pezull, në ofanzivë për 28 vjeçarin janë vërsulur klubet tjera.
Sipas mediave turke, Galatasaray e ka rikthyer interesimin për gjigantin e sulmit.
Portali “Fotomac” shkruan se ish-futbollisti i Giresunspor, Gençlerbigligi, Rizespor dhe Fenerbahçe, dëshiron ta kuptojë sa më shpejtë të ardhmen e tij, respektivisht menjëherë pas angazhimeve që i ka me Kombëtaren e Kosovës, përcjell “Gazeta Express”.
Kartonin e futbollistit kosovar e posedon Lazio, e cila megjithatë nuk e ka ndërmend ta mbajë atë në ekip pasi dështoi në eksperiencën e tij prej një viti e gjysmë në kryeqytetin italian.
“Biancocelesti” do ta presin Mallorcan edhe pak ditë.
Dhe, nëse spanjollët nuk bëhen të gjallë, do të mundohen ta shesin lojtarin në Turqi.
Aty krahëhapur Muriqin e pret ish-klubi i tij, Fenerbahçe, por ai po rivalizohet fuqishëm nga klubi tjetër i Stambollit, klubi i njohur evropian Galatasaray.
Muriqi i ka zhvilluar 16 ndeshje në La Liga në sezonin që sapo përfundoi dhe i ka realizuar 5 gola dhe i ka bërë 3 asistime, duke e ndihmuar Mallorcan të mbetet në ligën elitare spanjolle.
Ndërkaq, ai i ka bërë 49 ndeshje për Lazion, ku i kishte realizuar 2 gola dhe i kishte bërë 2 asistime.
Muriqi vlerësohej më parë 12 milionë euro, ndërsa Lazio është e gatshme ta shesë atë për 10 milionë, shkruan “Gazeta Express”.
Klubi italian e kishte blerë kartonin e lojtarit për afro 20 milionë euro në vitin 2020.
Ai ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025, por largimi i tij prej aty gjatë verës që po vjen është i pashmangshëm.