Fjalë Kyçe

Klubi i Superligës “bombardon” me 6 transferime

Klubi i Superligës “bombardon” me 6 transferime

Liria është skuadra, e cila ka bërë më së paku “zhurmë” në periudhën e pushimit dimëror në Superligën e Kosovës.

Në kohën kur pothuajse të gjitha skuadrat i kanë nisur përgatitjet, si dhe kanë prezantuar përforcime para fillimit të stinorit vjeshtor, prizrenasit kanë qenë të heshtur.

Liria e mbylli stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll në vendin e dhjetë me vetëm 19 pikë të grumbulluara pas 17 ndeshjeve, kurse në Kupën e Kosovës është eliminuar nga Prishtina me rezultat të thellë, 4:0, shkruan gazeta Zëri.

Djelmoshat e Vincenzo Alberto Aness, trajnerit italian, megjithatë pritet që shumë shpejt t’i vazhdojnë përgatitjet jashtë vendit, por kjo nuk do të ndodhë këtë muaj.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i Lirisë, Iliaz Iliazi, i cili në një prononcim për gazetën “Zëri” tha se përgatitjet jashtë vendit do të vijojnë nga fillimi i muajit të ardhshëm. “Nga 1 deri më 10 shkurt do të jemi në Durrës, në Tropikal, aty ku edhe do t’i vazhdojmë përgatitjet para fillimit të stinorit pranveror’’,konfirmoi shkurt Iliaz Iliazi.

Tifozët e Lirisë i ka bërë kureshtarë fakti se skuadra e tyre e zemrës nuk e ka zyrtarizuar ende asnjë futbollist vendor ose edhe të huaj. Megjithatë, nuk është gjithçka ashtu siç duket. Iliazi më tutje për gazetën thotë se klubi ka arritur marrëveshje me gjashtë lojtarë. “Sa u përket përforcimeve, kemi sjellë gjashtë lojtarë, ku të gjithë janë të huaj’’, shtoi Iliazi.

I pari i Lirisë, duke mos dashur të përmend emra pa u dhënë nënshkrimet në kontrata, ka zbuluar se ardhjet e reja janë kryesisht nga Amerika Latine.

Liria e filloi sezonin e ri me Gëzim Hasin, por pas largimit të tij klubi prizrenas solli Alberto Aness, trajner i cili ende nuk e ka nxjerrë më të mirën nga lojtarët e tij.