Gjykata Kushtetuese të hënën ka vërtetuar aktgjykimin e Supremes lidhur me faturimin e energjisë së shpenzuar në veri, në faturat e qytetarëve të tjerë. Vendimet e vërtetuara nga Kushtetuesja e obligojnë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që t’i kompensojë qytetarët të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri me 40 milionë e 885 mijë euro.
Për këtë çështje ka reaguar të martën Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ku ka kërkuar që kompensimi i qytetarëve të bëhet brenda tre muajve.
Sipas Këshillit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese siguron vetëm drejtësi të pjesshme.
“Në kohën e kryeministrit Haradinaj, pas një takimi të KMDLNj- së dhe kërkesës për kompensim ishte bërë një kompensim i papërfillshëm që zgjati dy – tre muaj, me shumë simbolike 2-3 euro dhe aty përfundoi sepse nuk kishte një vendim të formës së prerë (detyruese) për kompensim. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompensim, qytetarët – konsumatorët e plaçkitur nga ZRrE nuk duhet të pranojnë të kompensohen përmes faturave por duhet të kërkojnë të kompensohen me euro përfshirë këtu kamatat e rregullta dhe ndëshkuese që i përcakton autoriteti kompetent, në përputhje me shkallën e inflacionit dhe çmimin e energjisë elektrike. Si mbikëqyrës i procesit të zhdëmtimit të qytetarëve – konsumatorëve të plaçkitur nga ZRrE duhet të jetë një komision i pavarur nga Kuvendi i Kosovës që do të udhëhiqej nga opozita dhe një përfaqësues i shoqërisë civile. ZRrE do të bëjë përpjekje që të bishtënojë në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës por se duhet të caktohet një afat kohor, maksimumi 3 muaj që të përfundojë ky kompensim”, thuhet në komunikatë.
KMDLNJ ka bërë thirrje që të hetohen ZRRE-ja dhe disa ministra të Qeverisë.
“KMDLNj kërkon hetime urgjente ndaj ZRrE, ministrave Hekuran Murati, Elbert Krasniqi, Artane Rizvanolli dhe Rozeta Hajdari për vazhdimin e trajtimit diskriminues të qytetarëve – konsumatorëve të Kosovës në baza etnike dhe politike, qoftë duke paguar fatura, qoftë edhe duke shpërndarë fatura fiktive lineare pre 21ceutosh pavarësisht se mund të kenë shpenzuar rrymë disa qindra euro gjatë periudhës së faturimit”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.