Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka deklaruar se letra e cila është duke qarkulluar në mediat kosovare për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i është dërguar kryeministrit Albin Kurti nga treshja Macron, Scholz dhe Meloni, para letrës së sotme të Qeverisë së Kosovës drejtuar Këshillit të Evropës.
Knaus, me anë të një postimi në platformën X, ka theksuar se letra kishte për qëllim të tregonte rrugën më të mirë të zgjidhjes së çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Kjo letër është dërguar para letrës së sotme nga qeveria e Kosovës, duke ofruar rrugën më të mirë drejt zgjidhjes së çështjes së Asociacionit njëherë e përgjithmonë këtë maj. Është e qartë se çdo draft-statut i Asociacionit duhet të plotësojë kriteret e Këshillit të Evropës. Ajo që ofroi Kosova sot i plotëson ato dhe mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese”, ka shkruar Knaus, transmeton Telegrafi.
Tutje, ai theksoi se nuk duhet të plotësohet kërkesa e Serbisë për Asociacionin.
“Ideja në Beograd që Serbia duhet të miratojë çdo Asociacion do t’i jepte Serbisë një veto për përparimin e Kosovës dhe thjesht do të siguronte që asgjë nuk do të ndodhë kurrë. Gjë që natyrisht është ajo që liderët serbë thonë se duan: Kosova “kurrë nuk duhet të anëtarësohet” në Këshillin e Evropës”, ka thënë Knaus.
Në një letër të përbashkët kancelari gjerman, kryeministrja e Italisë dhe presidenti i Francës, i drejtohen Kurtit me një përgjigje të prerë duke i thënë se nuk do të pranohet kërkesa, nëse nuk do të ketë Asociacion!
Në letër theksohet se “ekziston rrezik real që pa progres vendimtar të Asociacionit, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.
Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se veprimi i bërë nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga MPJD rreth draft-statutit të Asociacionit dhe çështjes së Këshillit të Evropës, nuk është konstultuar e as dakorduar me presideten Vjosa Osmani.
Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin, nga zyra për media e presidentes Osmani.
“Letra e djeshme e Qeverisë së Kosovës dërguar në KiE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani. Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.
Ai ka thënë se kjo letër nuk është e tillë dhe se mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën.