Fjalë Kyçe

Koliçi synon ta mbyllë portën edhe në Letoni

Koliçi synon ta mbyllë portën edhe në Letoni

Gjilani udhëton për në Letoni me synim për ta mbrojtur fitoren e arritur në Prishtinë. Skuadra gjilanase e ka fituar 1:0 ndeshjen e parë të rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Javën e kaluar në “Fadil Vokrri”, Gjilani mposhti Liepajan e Letonisë.

Ndeshja e kthimit luhet të enjten nga ora 16:00 në stadiumin “Daugava” në Liepaja, ndërsa gjilanasit të mërkurën udhëtojnë për në Letoni.

Liepaja pritet ta ketë iniciativën në fushë dhe kështu presioni ndaj portierit të Gjilanit, Enea Koliçi të jetë më i madh. Koliçi pa punë nuk ishte as në Prishtinë. Por ai bëri disa pritje vendimtare, sidomos në minutat e fundit për ta ndihmuar fitoren e Gjilanit.

Albert Dabiqaj shënoi golin në minutën e 37-të, ndërsa Gjilani në minutat e fundit u detyrua të mbrohej me të gjitha forcat. Mysafirët kanë rrezikuar disa herë, por pa mundur të konkretizojnë. Kjo edhe falë paraqitjes së Koliçit, portierit që prej se ka ardhur te Gjilani vlerësohet shumë lartë.

“Gjithmonë më bëhet qejfi kur ndihmoj ekipin me pritjet e mia. Në ndeshjen e kaluar, megjithatë, nuk kisha shumë punë falë ekipit që ka bërë punë shumë të mirë dhe nuk e ka lejuar kundërshtarin të krijojë raste të rrezikshme”, ka thënë Koliçi të martën për KOHËN.

Liepaja në fakt ka rrezikuar më shumë se Gjilani në Prishtinë. Përvoja e mëson Koliçin se ndeshja e dytë do të jetë e vështirë.

“Besoj se ndeshja e dytë nuk do të jetë si e para. Presim një kundërshtar më agresiv dhe besoj që do të rrezikojë shumë për të shënuar gol ndaj nesh. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë takim sepse gabimi më i vogël mund të na kushtoj rëndë”, ka shtuar Koliçi.

36-vjeçari ka përvojë të gjatë në Greqi e Shqipëri. Prej vitit 2020 është te Gjilani. Koliçi është nga Pogradeci.

“Gjasat janë shumë të mëdha që ta kalojmë këtë ndeshje me sukses. E kemi analizuar kundërshtarin mirë dhe nëse jemi të përqendruar si në ndeshjen e parë, atëherë nuk do të jetë problem kualifikimi në rundin tjetër”, ka theksuar Koliçi.

Ai megjithatë, është optimist për ndeshjen në Letoni.

“Synimet janë të qarta. Nuk duhet të lejojmë kundërshtarin të shënojë gol dhe nëse na jepet mundësia më e vogël që ta ndëshkojmë, ta bëjmë këtë. Gjithsesi besoj se do të jetë një ndeshje e vështirë dhe e bukur”, thotë portieri i Gjilanit.

Gjilani për herë të dytë luan në kupa kontinentale. Kishte debutuar në edicionin 2020/2021 në Ligën e Evropës. Në rundin kualifikues kishte kaluar tre Pennen e San Marinos, ndërsa më pas ishte ndalur nga APOEL-i qipriot.