Fjalë Kyçe

Komandanti i KFOR-it: S’kemi asnjë provë se Serbia po përgatit sulm në Kosovë në bashkëpunim me Grupin Wagner

Komandanti i KFOR-it: S’kemi asnjë provë se Serbia po përgatit sulm në Kosovë në bashkëpunim me Grupin Wagner

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia e vlerëson situatën aktuale në veri si të ndjeshme, por të qetë dhe dukshëm më të mirë se sa ishte në dhjetor.

Shqetësuese për të, ai thotë se është “vakumi i sigurisë” që është krijuar pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet.

“Mund të themi se situata tani është shumë më e mirë se sa ishte në dhjetor. Megjithatë, ka një sërë çështjesh që na shqetësojnë, si p.sh. vakumi i rrezikshëm që është krijuar në veri pas dorëheqjes së serbëve të Kosovës nga institucionet. Ky vakum është shumë i rrezikshëm, veçanërisht nga pikëpamja e sigurisë”, tha ai, duke shtuar se ka ende “shumë tension” mes popullatës, e cila ndihet “jashtëzakonisht e shqetësuar dhe e pasigurt”, ka thënë ai në një intervistë për mediumin Kossev, transmeton Reporteri.net.

Në përvjetorin e fillimit të luftës në Ukrainë, duke komentuar alarmin e zyrtarëve të Kosovës për ndikimin e madh të Rusisë “përmes satelitit të saj Serbisë” në Kosovë, muajt e fundit veçanërisht, mundësinë e prezencës së grupit paraushtarak “Wagner”, Risstuccia tha se KFOR-i nuk ka asnjë provë për praninë e grupit Wagner në Kosovë dhe as se Rusia mund të sulmojë Kosovën, përmes “satelitit” të saj të Serbisë, siç kishe deklarata nga zyrtarët në Kosovë.

“Për momentin nuk kemi asnjë provë për këtë. Do të jem më i saktë, të gjitha ngjarjet në zonë që kanë ndodhur në muajt, javët e fundit, janë më shumë të lidhura me dinamikën e brendshme sesa me ndikimet e jashtme”, tha komandanti i KFOR-it.

Ishte Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ajo që ditë më parë në një intervistë për mediumin britanik The Telegraph tha se Beogradi po vazhdon të nxisë tensionet në rajon, në bashkëpunim me grupin Wagner të Rusisë.

Osmani paralajmëroi se mercenarët nga grupi famëkeq Wagner i Rusisë po punojnë me paramilitarët serbë për të futur armë dhe uniforma ushtarake në Kosovë.

Sipas Osmanit, synimi është “pikërisht” i njëjtë me atë të përdorur nga Vladimir Putin në Krime nëntë vjet më parë

“Ata sjellin armë dhe uniforma, por formalisht nuk janë pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saj pa u quajtur operacion ushtarak”, tha Osmani ditë më parë.