Fjalë Kyçe

Kombëtarja A e femrave mbajti stërvitje para ndeshjes me Maqedoninë Veriore

Kombëtarja A e femrave mbajti stërvitje para ndeshjes me Maqedoninë Veriore

Para ndeshjes së nesërme kundër Kombëtares së Maqedonisë Veriore, vajzat e Kombëtares A, mbajtën seancën stërvitore në stadiumin e KF ” Korriku” në Prishtinë, shkruan GazetaAlo.

Përzgjedhësja Afërditë Fazlija bashkë me ndihmësit e saj, provuan disa variante të sistemit të lojës, me fokus në mbrojtje dhe në fazën e sulmit sidomos me kundërzbritje. Atmosfera në ekipin kombëtar është jashtëzakonisht e mirë, ndërkaq që sipas fjalëve të mjekut dr. Enver Hoxha gjendja shëndetësore e futbollisteve është e mirë dhe janë të gatshme për lojë.

Pas stërvitjeve deklaruan:
Afërditë Fazlija, përzgjedhëse

Kemi grumbulluar një grup të futbollisteve nga 7 klube të Ligë së Kosovës dhe nga klubet e jashtme. Kemi edhe dy prurje të reja nga klube të forta evropiane, siç është Erëleta Mehemti që luan në Bundesligë përkatësisht për ekipin e Wolfsburgut. Dhe konsideroj që është një rast i mirë që të provojmë forcat dhe për të nxjerrë më të mirën nga ekipi, sidomos kjo do të na shërbejë edhe si përgatitje për kualifikimet për Kampionatin Evropan. Po shoh të grupi një përkushtim dhe ne do të punojmë me zell për këto dy ndeshje me Maqedoninë Veriore, ndonëse ne kishim dy ndeshje vitin e kaluar në Shkup dhe arritëm rezultate të mira, por ne e dimë po ashtu se përbërja maqedonase ka pësuar shumë ndryshime. Ne do të përpiqemi që të japim më të mirën.

Edona Kryeziu, kapitene

Me Maqedoninë kemi luajtur edhe vitin e kaluar dhe kemi pasur rezultate të mira dhe besoj se edhe kësaj radhe do të arrijmë suksese. Do të përgatitemi sa mirë dhe do të japim gjithçka nga vet vetja.

Valentinë Limani, futbolliste

Të ju them të drejtën nuk ka ndeshje të lehtë sepse secili ekip po përgatitet më mirë, ani pse ne i kemi mundur vitin e kaluar. Por unë besoj shumë në bashkëlojtaret e mija dhe se në ndeshjen e nesërme do të jemi në nivelin e duhur për të arritur rezultat të mirë.

Leonorë Ejupi, futbolliste

E di që nuk do ta kemi lehtë sikur vitin e kaluar kur i mposhtëm në Shkup, prandaj duhet të jemi të vëmendshme në këtë ndeshje. Të luajmë mirë si kolektiv, t’i bëjmë e kryejmë me përpikëri detyrat dhe besoj se as rezultati nuk do të mungojë. /Gazeta Alo