Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka mundur Maqedoninë e Veriut në kuadër të një miqësore të zhvilluar në Shkup.
Vashat e Kombëtares A në ndeshjen e parë miqësore në ballafaqim me Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, që u zhvillua sot në Shkup, kanë triumfuar me rezultat bindës 3:1, transmeton lajmi.net.
Futbollistet tona gjatë gjithë ndeshjes ishin më të mira, duke zotëruar plotësisht takimin. E qarkulluan më mirë topin, bashkëvepruan më mirë, krijuan aksione të mira e të rrjedhshme dhe ne konkretizime me gola.
Pjesa e parë u mbyll me rezultat minimal me golin e Donjeta Halilajt në minutën e 40-të pas një goditje nga largësia dhe topi nëpër shuplakat e portieres Lekoska përfundoi në rrjetë.
Edhe pjesa e dytë nisi me mbizotërim të Dardaneve, të cilat në minutën e 55-të shtojnë epërsinë në 2:0 pas një aksioni vetjak të Fleta Musajt para portës maqedonase.
Pas golit të dytë futbollistet e Maqedonisë së Veriut, morën një iniciativë të lehtë dhe arritën të ngushtojnë epërsinë e Dardaneve përmes Yllza Maksutit.
Deri në fund të takimit futbollistet tona plotësisht e kontrolluan ndeshjen dhe në minutën 85-të Feride Kastrati u përkujdes që të shënojë golin e tretë për 3:1, me të cilin rezultat përfundoi edhe ky takim. Miqësorja e dytë ndërmjet këtyre dy ekipeve do të luhet të dielën më 11 prill.
Maqedonia e Veriut- Kosova 1:3
Stadiumi: Kompleksi i FFM-së në Shkup
Gjyqtare: Ivana Pajkovska, Vjollca Izeiri, Tamara Cvetanoviç e Angela Rajçevska.
Shënues: Yllza Maksuti (60) për Maq. e V. Donjeta Halilaj(39), Fleta Musaj (55) e Feride Kastrati(85) për Kos.
K.V. Berisha, Kryeziu e Gashi të Kos.
Maqedonia e Veriut:Lekoska, Veleska, Mileska, Kolarovska,Maksuti, Markovska(Velkova), Mustafi, Huseni, Salihi,Zhvikij e Ristovska.
Kosova:Kolgeci, Syla, Kryeziu, Gashi(Kadolli), V. Berisha, Shala(Kastrati), Misini(Ramadani), Grajçevci(Lulaj), Emerllahu(F. Berisha), Halilaj e Biçkaj.