Fjalë Kyçe

Kombëtarja e Kosovës niset për Spanjë

Kombëtarja e Kosovës niset për Spanjë

Kombëtarja e Kosovës ka fluturuar drejt Sevillës të hënën pasdite, për t’u përballur me Spanjën të mërkurën mbrëma në një ndeshje të Grupit B kualifikues për Kupën e Botës, Katari 2022.

Kosova do të përballet me Spanjën, një shtet që nuk e njeh pavarësinë e saj, për herë të parë në historinë e ekipit kombëtar të mërkurën në orën 20:45, raporton Gazeta Express.

Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se verdhekaltrit fluturuan sot drejt Sevillës nga Aeroporti i Prishtinës.

“Kombëtarja e Kosovës është nisur sot pasdite për në Sevilla, ku të mërkurën do ta zhvillojë ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2022 kundër Spanjës”, njoftoi FFK-ja.

Kosova e nisi në mënyrë dëshpëruese fushatën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e vet, pasi u mund bindshëm 3:0 nga Suedia në ndeshjen hapëse të saj të dielën në Prishtinë.

As Spanja nuk ka qenë as bindëse, megjithatë, pasi ka hasur në vështirësi kundër Greqisë, e cila ia nxori një barazim 1:1 dhe ndaj Gjeorgjisë, të cilën mezi e mposhti 2:1 me një gol fatlum në çastet e fundit të ndeshjes të dielën.

Grupit B i prin Suedia me gjashtë pikë pas dy ndeshjeve, e ndjekur nga Spanja me katër pikë. Greqia është e treta me një pikë pas një ndeshjeje.

Kosova është e katërta pa pikë pas një ndeshjeje, ndërsa Gjeorgjia e fundit pa pikë pas dy humbjeve në dy ndeshje.