18 maji është data e fundit kur dy komisionet hetimore për energji duhet të mblidhen sefte. Në takimet fillestare, deputetët përpilojnë listat e personave që do të ulen para tyre.
Në komisionin që heton krizën energjetike mund të thirret kryeministri Albin Kurti me ministra, por në atë që merret me zhvillimet 16 vjeçare, ka gjasë të ftohen edhe paraardhësit e tij.
Ish-deputeti Dardan Sejdiu që ka drejtuar vetë komision hetimor në Kuvend, pret të ketë shumë ftesa ndaj akterëve që kanë lidhje me sektorin e energjisë.
“Menaxhimit të sistemit energjetik të Kosovës, shitblerjes së rrymës, telasheve me termocentrale. Pra, prej KOSTT, ZRRE, KEK e deri te njerëzit që kanë marrë pjesë në vendimmarrje”, thotë Sejdiu, njofton Klan Kosova.
Opozita e ka në plan ta ftojë edhe ambasadorin Martin Berishaj. Ky dhe çdo dëshmitar tjetër, sipas Ligjit për Hetim Parlamentar, obligohet patjetër t’i përgjigjet komisionit.
“A vendosin personat privatë dhe kompanitë e huaja me u përgjigj është çështje tjetër, por komisioni hetimor edhe me ligj mundet edhe me polici me i sjellë ata që i fton”, deklaron Sejdiu..
Dëshmitarët janë të obliguar edhe t’i përgjigjen pyetjeve, por jo gjithmonë ka shkuar kaq thjesht. Drama më e përfolur në komisione hetimore ishte raportimi maratonik, me përplasje e thumbime, i ish-presidentit Hashim Thaçi për dëbimin e gjashtë turqve nga Kosova, më 26 prill 2019.
Ligji e lejon edhe azhurnimin e listës së dëshmitarëve gjatë gjashtë muajve sa ka mandat komisioni.
Dy nismat e propozuara nga opozita e pushteti u miratuan të enjten, pas një seance jo të qetë.